Mësohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në fshatin Manskuri të Kavajës, ku Policia njoftoi se një grua është gjetur e djegur në një makinë ndërkohë që i shoqi është gjetur i vetëvarur në pemë.

Dyshohet se bashkëshorti ka djegur për së gjalli gruan e tij, shtetasen Fëllënxa Shirja dhe pas këtij akti makabër 48-vjeçari, shtetasi Bilbil Shirja, është vetëvarur në një pemë.

Burime bëjnë me dije se çifti Shirja ishte në proces divorci dhe gjyqi do të zhvillohej të hënën. Çifti ishin nga fshati Kryemëdhenj i Golemit i Kavajës.

Marrëdhënia e tyre në çift ka qenë e vështirë, problematike për shkak të xhelozisë së sëmurë të bashkëshortit.

Të dy ishin prindër të një vajzë të fejuar dhe një djali 17 vjeçar.

Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po hetohet për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Kavajë/Informacion paraprak

Më datë 10.04.2021, rreth orës 11:45, në fshatin Manskuri, Kavajë, është gjetur i djegur plotësisht një mjet.
Brenda mjetit është gjetur një kufomë e djegur, e cila dyshohet se i përket shtetases me iniciale F. Sh., 45 vjeçe.

Nga kontrolli i zonës përreth është gjetur i vetëvarur në një pemë bashkëshorti i saj, shtetasi B. Sh., 48 vjeç.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin dhe zbulimin e rrethanave te ngjarjes.(tch)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re