Skip to content

Detaje të reja nga plagosja me armë në Elbasan, objektiv dyshohet se ishin dy të rinj. Autori ende në kërkim

Policia elbasan

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Vullnetari” (Banesat) në qytetin e Elbasanit, ku mbetën të plagosur me armë zjarri tre persona. Sipas burimeve nga grupi hetimor, objektiv i sulmit dyshohet se kanë qenë Armando Tomorrica dhe Renaldo Mance, ndërsa i plagosur aksidentalisht ka mbetur edhe Biorgi Hoxha, 19 vjeç, kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se autori i dyshuar kishte pasur më herët një konflikt me Tomorricën dhe Mancen, çka dyshohet të ketë qenë edhe motivi që e shtyu të ndërmerrte sulmin me armë zjarri. Sipas dinamikës së deritanishme, Tomorrica dhe Mance ndodheshin të ulur në një tavolinë në verandën e lokalit, në shoqërinë e kamarierit Biorgi Hoxha. Në një moment, autori është afruar drejt tyre dhe, sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendngjarje, fillimisht i ka ofenduar verbalish. Menjëherë më pas ai ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre, duke lënë të plagosur të tre personat.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të ndihmuar në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Tre të plagosurit morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Burime spitalore bëjnë me dije se, pasi morën trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe rezultuan jashtë rrezikut për jetën, ata kanë lënë ambientet e spitalit dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, autori i dyshuar i plagosjes nuk është arrestuar ende. Policia e Elbasanit vijon kontrollet dhe hetimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po dokumentohen të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje.