
Një rrëshqitje e konsiderueshme dheu ka ndodhur gjatë orëve të fundit pranë fushës sportive të Ali Demit, në Tiranë, në afërsi të një objekti shumëkatësh në ndërtim, i zhvilluar nga kompania ERKLO sh.p.k. Ngjarja ka sjellë shembjen e një pjese të trotuarit si dhe të skelave mbajtëse që ishin të vendosura në kantierin e ndërtimit.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, rrëshqitja ka krijuar një gropë të thellë anës objektit, duke ngritur shqetësime serioze për stabilitetin e terrenit dhe sigurinë e ndërtesave përreth, si dhe për kalimtarët që frekuentojnë zonën. Dëmet e shkaktuara janë kryesisht materiale, duke prekur strukturat ndihmëse të ndërtimit dhe hapësirat publike.
Në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila ka rrethuar zonën dhe ka kufizuar lëvizjen për shkak të rrezikut potencial. Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa priten verifikime teknike për të përcaktuar shkaqet e rrëshqitjes së dheut, si dhe nëse janë respektuar standardet e sigurisë dhe masat mbrojtëse gjatë gërmimeve.
Objekti në fjalë është pjesë e një projekti ndërtimor në zhvillim, ku sipas të dhënave publike, zhvillues i projektit është kompania ERKLO, e cila operon prej vitesh në fushën e ndërtimit dhe punimeve të gërmimit. Mbetet për t’u parë nëse rrëshqitja lidhet me kushtet gjeologjike të zonës, reshjet, apo me ndërhyrjet intensive në terren.



