Skip to content

Detaje të reja nga vizita e Ministrit Çuçi në Liban, në ditët në vijim pritet riatdhesimi i shqiptarëve të ngecur në kampet e ‘ferrit’

Burime për Fax News bëjnë me dije se ekipi që ndodhet në Beirut, ku bën pjesë edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe drejtori i Anti-terrorit Gledis Nano kanë pasur rezultate me pritshmëri të lartë për riatdhesimin e të tjerë shqiptarëve që ndodhen në kampet e ashtuquajtura të “ferrit” në Lindjen e Mesme.

Ditët në vijim pohojnë burimet, pritet mbërritja e shqiptarëve të tjerë në atdhe ndërsa nuk konfirmohet numri i tyre apo grupmoshat.

Përpjekjet e ekipeve shqiptare për riatdhesimin e bashkëkombësve kanë qenë të herëpashershme, ndërsa është evidentuar vazhdimisht vështirësia që qëndron në lirimin e ‘pengjeve’ që ndodhen na Al-Hol, pasi grupet ekstremiste kanë refuzuar të bashkëpunojnë. Nga ana tjetër, informacionet për operacione të tilla mbahen tepër sekrete, për shkak se paraqesin kërcënim serioz për jetën e shaiptarëve në kamp, pohojnë burimet.

Në kampet e Sirisë mendohet se gjenden rreth 80 shqiptarë, mes tyre 50 gra dhe fëmijë ndërsa një pjesë e mirë e meshkujve kanë ndërruar jetë si pasojë e luftimeve. Disa prej fëmijëve kanë lindur në Siri pas vendimit të prindërve të tyre për t’ju bashkuar grupeve ekstremiste.

Autoritetet shtetërore në deklarata e mëparshme kanë thënë se operacioni për kthimin e qytetarëve shqiptar nga Siria në Shqipëri nuk është i lehtë, por megjithatë, shtojnë faktin se kjo nuk i ka zbehur përpjekjet për riatdhesimin e tyre, diçka e cila pritet të mbyllet me një lajm të mirë në ditët në vijim.

(R.G/Faxweb.al)

/faxweb