Arjan Meçe është 52-vjeçari i arrestuar këtë të enjte në Vlorë, i cili akuzohet se fshihte një skaf me gjatësi 11 metra dhe kishte për qëllim ta trafikonte.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve ushtruan kontroll në një magazinë, pranë “Pyllit të Sodës”.

“Gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një mjet lundrues me gjatësi 11 metra, pa motorë, i cili nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se ishte prodhuar nga kantieri i shtetasit Arjan Meçe, si dhe ishte magazinuar aty prej tij”, theksojnë blutë e qytetit bregdetar.

Gjithashtu, policia sqaron se Arjan Meçe ka lëshuar një faturë tatimore të dyshuar të falsifikuar, me të dhëna të rreme të blerësit, me vlerë 15.000 euro, të pashoqëruar me kupon tatimor dhe të padeklaruar në organet tatimore.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 52 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë për mediat.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re