Pas një kohe të gjatë në arrati, ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar nga policia. Ish kreu i bashkisë është arrestuar në një spital privat në Tiranë.

Kajmaku është shtruar mbrëmë në spital për shkak të komplikacioneve me shëndetin.
Mësohet se ish-kryebashkiaku vuan nga zemra dhe diabeti. Vendimi i arrestimit i është komunikuar në spital, ndërsa Kajmaku do vijojë të jetë i shtruar.

Ish-kryebashkiaku i Vorës u shpall në kërkim në kërkim nga policia në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi u denoncua nga PD se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh.

Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Pikërisht fshehja e këtij fakti çoi në shkarkimin e tij dhe nisjen e hetimeve.

Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar por që atëherë Kajmaku nuk u duk më, duke i shpëtuar për muaj me radhë uniformave blu.

Prokuroria e akuzon Kajmakun për tre vepra penale, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve zyrtarë” si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies së tij”. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”.

Kajmaku u zgjodh në krye të bashkisë së Vorës ne zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar, ndërsa që prej nëntorit të 2019 ishte në arrati.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re