Babai e nëna e vogëlushit nuk ishin në banesë. Ndodheshin në punë. Vogëlushi, ishte vetëm me gjyshin. Ky i fundit e kishte lënë për pak momente të shtrirë në dhomë, por 2 vjeçari ishte çuar dhe kishte mundur të ngjitej tek dritarja. Kaq mjaftoi që ai të binte nga lartësia e katit të kartërt.

Kështu ndodhi në Monza të Italisë fqinje. 2 vjeçari, i quajtur Arli, është djali i dy shqiptarëve.

“Dëgjuam një zhurmë dhe dolëm nga dritarja. Aty pamë atë trupin e vockël në tokë, nuk jepte shenja të jetës”-tregoi për median italiane, një prej fqinjëve.

Kur gjyshi pa nipin në tokë, nisi të ulërasë për ndihmë dhe vrapoi tek vogëlushi. Me ardhjen e ambulancës, mjekët u detyruan ta shtrojnë edhe të moshuarin, i cili pësoi tronditje të madhe e gjendje të fikëti.

Media italiane shkruan se vogëlushi quhet Arli. Familja jetonte prej vitesh në Itali dhe vetëm së fundmi kishte mundur të blinte apartamentin.

Siç kanë mësuar mediat lokale, vogëlushi me gjasë është ngjitur në një karrige duke dalë në nivel të dritares së dhomës. Atje ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë. Fillimisht ka goditur një grilë të hapur e më pas ka rënë në tokë.

Ngjarja ndodhi në ditën e djeshme, ndërsa këtë të mërkurë media ka sjellë në vëmendje se gjendja e vogëlushit nuk është përmirësuar, vijon të mbetet stable, por e rëndë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re