Dy efektivët e policisë, Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj kanë mbetur të plagosur nga përplasja me dy të rinj që nuk kanë pranuar t’i ushtrohej kontroll nga patrulla.
Bëhet me dije se dy personat janë të afërm me ish- deputetin e Partisë Demokratike, Mhill Fufi.
Nga të dhënat paraprake, një nga autorët e ngjarjes është identifikuar si Nikollë Vorfi, por me mbiemrin e ndryshuar njihej edhe si Nikollë Fufi.
Autorët janë larguar me një automjet tip Audi nga vendi i ngjarjes, ndërsa të dhënat e mjetit se bashku me makinën u janë shpërndarë të gjitha pikave të policisë jo vetme në Mamurras por dhe qytete të tjera për të bere ndalimin e tyre.
Informacioni paraprak i policisë:
Rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.
Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje.
Informacion më të detajuar do të japë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në përfundim të veprimeve të para hetimore.
