Stefano Sensi po kalon një moment të artë tek Inter, ku në tre ndeshjet e para të Serie A ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy asisti, por mbi të gjitha është për t’u vlerësuar çdo paraqitje e tij në këtë start sezoni, duke treguar klas, saktësi dhe teknikë të lartë.

Mesfushori 24-vjeçar është huazuar për 5 milionë euro nga Sassuolo, teksa Inter ka të drejtën ta blejë për 20 milionë euro të tjera në fund të sezonit.

Gjithsesi, para se të arrihej marrëveshja për këtë formulë, ka qenë Milani që ishte shumë pranë firmës me “xhuxhin magjik”, ashtu siç e thërrasin të gjithë tani mesfushorin shtatshkurtër.

Mediet në Itali kanë shkruar se Milan kërkoi nga Sassuolo që Sensi të huazohej për dy sezone, pa garanci në blerjen e tij. Thuajse e njëjta formulë që është arritur në afrimin e Ante Rebic.

Kjo ide nuk është pranuar nga Sassuolo dhe në këtë moment hyn Inter në garë, duke e marrë me ulje, sepse për të kërkohej 35 mln euro. Zikaltrit përdorën formulim huazim me të drejtë blerje për 25 mln euro dhe i dhanë disa lojtarë të rinj Sassuolos në huazim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re