Policia e Lezhës ka arrestuar dje autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Lalm i Vjetër.

Po ashtu, një tjetër është shpallur në kërkim. Burime zyrtare të Policisë, bënë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Aleksandër Përdoda, 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, i akuzuar për vrasjen e rapsodit të njohur Kol Murrani dhe Preng Simoni.

Ky person rezulton se është me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Shoqërimi dhe ndalimi i tij u bë falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, bazuar në prova të arsyeshme për përfshirjen e tij në këtë ngjarje.

Po në lidhje me vrasjen e dyfishtë të Kol Murranit dhe Preng Simonit është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi Edmond Përdoda, i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave.

VRASJA PËR PRONAT

Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye pronësie, pasi autori pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi, është pronë e tij.

Prona ku ndodhi edhe vrasja përdorej nga autori për të bërë dru zjarri, ndërsa pretendonte edhe pronësinë e saj. Për këtë çështje, ai ka pa pasur konflikte të vjetra me Preng Simonin dhe Kol Murranin dhe mendohet se ky i fundit ishte objektivi i vrasjes së dyfishtë.

Sipas të dhënave, ai është siguruar mirë që dy personat e shënjestruar të kishin vdekur para se të largohej nga vendi i ngjarjes, pasi fillimisht ka qëlluar nga larg dhe më pas është afruar duke qëlluar edhe nga afër në drejtim të tyre.

“Në vendin ngjarjes janë gjetur shumë pak prova, ndërsa Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit E. P., si dhe vijon kontrollin e territorit përreth për gjetjen e armës së krimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

AUTORI MOHON KRIMIN

Sipas burimeve, 41-vjeçari Aleksandër Përdoda, nuk e ka pranuar autorësinë e krimit gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur.

Autori i dyshuar i krimit të dyfishtë, Aleksandër Përdoda, njihej edhe si person problematik në zonë dhe me precedent të mëparshëm penal.

Në nëntor të vitit 2019, ai është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. 41-vjeçari, Aleksandër Përdoda, ishte shpallur në kërkim në tetor të vitit 2019, për shkak se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin M. F. Por për mungesë provash, ai u la i lirë nga organet e drejtësisë në Lezhë.

Po ashtu, 41-vjeçari kishte qenë i ndaluar edhe më parë për armëmbajtje pa leje.

CEREMONIA MORTORE

Dy viktimat janë përcjellë për në banesën e fundit mesditën e së martës. Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ceremonia mortore është zhvilluar në praninë e pak njerëzve, ndërsa është mbajtur nën monitorim nga forcat policore.

Dy viktimat dhe autori i dyshuar janë fqinj me njëri-tjetrin edhe në fshatin Lalm i Ri, ku ishin zhvendosur prej shumë vitesh.

Banesat e tyre kanë një distancë të afërt ndaj dhe nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme, Policia po i mban nën monitorim të vazhdueshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko