Kryeministri Edi Rama ishte një ndër 11 liderët e Europës Juglindore që mori pjesë pasditen e së martës në një samit të përbashkët me qeverinë kineze, në kuadër të iniciativës “17 + 1”. Kjo nismë, e krijuar nga Pekini në 2012 për të forcuar lidhjet me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, u kthye në një “mollë sherri” disa muaj më parë, kur ish-presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi një letër kreut të qeverisë shqiptare, duke i kërkuar të shkëputej prej saj.

Edhe pse qeveria shqiptare i tha “jo” Uashingtonit zyrtar në atë kohë, duke sinjalizuar kështu se do të mbajë një politikë të jashtme më të ekuilibruar mes dy superfuqive, një pjesë e mirë e lidervëve europianë vendosën të mos merrnin pjesë në samit. Ndryshe nga samitet madhështorë të mbajtura vitet e kaluara në kryeqytetet e Europës Juglindore, Presidentin kinez Xi Jinping u gjend kësaj radhe përballë disa karrigeve bosh në një samit virtual, pasi gjashte liderë anëtarë të BE-së nuk ishin të pranishëm.

Mediat europiane shkruajnë sot se vendimi ka ardhur si pasojë e presionit të ushtruar nga ish-administrata amerikane, e cila i ka çuar letra për shkëputjen nga kjo iniciativë, jo vetëm Shqipërisë, por të gjitha vendeve anëtare.

Edhe pse qeveria shqiptare nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare, burimet i thonë Gazetës Si, se kryeministri Rama ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë kineze për ndërtimin e një stacioni pilot të makinerive bujqësore në Cërrik, me ndihmën e Pekinit zyrtar. Sipas burimeve, ky stacion do të shërbejë edhe si qendër trajtimin për përdorimin e këtyre makinerive, të cilat do të ofrohen nga Kina, jo vetëm për fermerët shqiptarë, por për ata nga i gjithë rajoni. Por kjo nuk është marrëveshja më e rendësishme e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj kineze në kuadër të nismës 17 plus 1.

Burimet i thonë Gazetës Si, se së fundmi, Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Pekinin zyrtar për hapjen e eksporteve bujqësore me Kinën. Edhe pse nga zyra e shtypit të kryeministrit apo ministres së Bujqësisë, nuk ka ende një njoftim zyrtar, Gazeta Si mëson se kjo marrëveshje e nënshkruar me Drejtorinë e Doganave Kineze u mundëson prodhuesve shqiptarë të eksportojnë në Kinë produkte si kosi, qumështi, djathi apo mjalti, duke i hapur kështu dyert e tregut të dytë më të madh në botë.

Edhe pse as nga Ministria e Bujqësisë nuk ka ende asnjë njoftim, qeveria kineze deklaroi gjatë samitit të djeshëm, se Pekini po ofronte dyfishimin e eksporteve bujqësore nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Europës Lindore gjatë pesë viteve të ardhshme. Hapja e eksporteve me Kinën vjen edhe si pjesë e nevojës së Pekinit zyrtar për më shumë produkte bujqësore nga rajoni.
Kina njoftoi gjatë samitit vende pjesëmarrëse se do të punonte për hapjen ose rritjen e eksporteve bujqësore më të gjitha vendet e Europës Juglindore, duke e cilësuar bashkëpunimin me Shqipërinë një sukses dhe duke theksuar se tregu kinez është i hapur për të gjithë rajonin.

Bujqësia luajti një rol të madh në samitin e fundit, pasi vendet evropiane shprehën interes për hapjen e tregut kinez për eksportet agro-ushqimore.

Në këtë samit, Mariyana Nikollova, zv/kryeministrja e Bullgarisë, ishte e shpejtë për t’i kërkuar presidentit Xi të ndihmojë në zgjerimin e gamës së mallrave të eksportuara duke thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat e importit në Kinë, në veçanti të prodhimeve bujqësore.

“Ne mbështetemi tek qeveria kineze dhe udhëheqja e Presidentit Xi Jinping për të identifikuar dhe zbatuar masa të mëtejshme konkrete për të zgjeruar dhe lehtësuar hyrjen e prodhimeve bujqësore në tregun kinez” tha ajo.

Përse disa udhëheqës nuk morën pjesë?

Formati 17 + 1 është padyshim iniciativa më e madhe diplomatike e Kinës në Europë, i cili bën zakonisht bashkë 17 vende të Europës Lindore dhe Qendrorë në një takim disa-ditor më udhëheqës dhe investitorë kinëzë. Formati u themelua në 2012 në Budapest dhe përfshin Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë dhe Slloveninë.

Nisma ka qenë tradicionalisht një mjet i Pekinit për të rritur ndikimin e tij në Europën Lindore duke premtuar investime të lidhura me Iniciativën Një Rrip Një Rrugë, një projekt gjigant infrastrukturor që lidh Kinën me tregjet e BE-së. Me nisjen e iniciativës, e cilësuar ndryshe si rruga e re e mëndafshit, Kina është bërë një lojtar i fuqishëm në Ballkan. Në vitin 2014, Kina caktoi një fond investimesh prej 3 miliardë dollarësh veçmas për rajonin e Ballkanit. Ndërkohë që po bëhet gati të ndërtojë këtë rrjet të madh infrastrukturor përmes Euroazisë, vendet e Ballkanit kanë një pasuri të vlefshme për t’i ofruar Kinës: gjeografinë e tyre. Kina e sheh Ballkanin si një portë të çmuar midis Mesdheut dhe Europës Qendrore dhe si një urë gjeopolitike midis botës perëndimore dhe Euroazisë. Është pikërisht kjo qasje ajo ka të ngjarë ta vendosë rajonin në qendër të luftës tregtare SHBA-Kinë.

Përfundimi i këtij projekti do ta kthente Kinën në kryeqytetin e ri ekonomik të botës, pasi të gjitha rrugët tregtare do të çonin në Pekin. E alarmuar nga një skenar i tillë, administrata Trump ka vendosur të shkëpusë zinxhirët e bashkëpunimit, dukë i kërkuar Shqipërisë dhe vende të tjera daljen nga iniciativa.

Që nga viti 2012, falë iniciativës 17 plus 1, Kina ka shtrirë ndikimin e saj në të gjithë Europën Juglindore dhe Ballkan, duke kapur sektorët strategjikë të vendeve anëtare. Deri më tani, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë samit ka qene më shumë formale, pasi siç thonë edhe ekspertët, vendi ynë duket se i ka rezistuar zgjerimit ekonomik kinez më mirë se vende të tilla si Serbia apo Bosnja.

Në këtë takim, presidenti kinez Xi Jinping shfrytëzoi po ashtu pandeminë për të afruar ndihmë. Përveç propozimit të tij për eksportet bujqësore presidenti kinez gjithashtu u zotua që të gjitha vendet e Europës Juglindore të mund të marrin vaksina nga Kinë.

Sidoqoftë, vendet e Europës Lindore nuk e fshehën skepticizmin për blerjen e vaksinave kineze, duke marrë parasysh faktin se administrata e re të Presidentit Joe Biden e ka bërë të qartë se dëshiron të mbledhë një kundërpeshë të gjerë diplomatike përballë Kinën.

Të gjashta vendet që nuk morën pjesë në samitin e nismës “17 plus 1” të martën ishin anëtarë të NATO-s. Bullgaria, Rumania dhe Sllovenia u bashkuan me tre vendet balltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, që nuk kishin presidentët ose kryeministrat e tyre në takimin virtual me presidentin Xi.

Në vend të udhëheqësve këto vende u përfaqësuan nga ministra. Vetëm një ditë para samitit, diplomatët kinezë ushtruan presion mbi qeveritë e këtyre vendeve për pjesëmarrjen e liderëve”, shkruan sot gazeta europiane “Politico.Eu”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re