Moti i keq me shi dhe borë që ka mbërthyer veriun  e vendit prej ditësh solli probleme në qarkullimin në disa akse. Pas ndërhyrjeve në akset kryesore, tani probleme mbeten rrugët e që lidhin fshatra të ndryshëm në zona të thella malore.

 

Në Dibër si pasojë e reshjeve të shiut një masiv i madh dheu mbuloi rrugën nacionale Klos-Qaf ë-Buall në fshatin Klos-katund. Për pasojë qarkullimi i mjeteve në këtë segment rrugor u bllokua për disa orë. Rrëshqitja e dherave vijon t’i afrohet edhe disa banesave.

 

Çarja e tokës duket si të ishte bërë nga një tërmet i fuqishëm. Banorët që jetojnë aty pranë apelojnë që të ndërhyhet sa më shpejt pasi rrëshqitja mund të vijojë dhe t’u rrezikojë shembjen e shtëpive.

 

Gjithashtu probleme me dëmtimin e rrugëve ka patur edhe në disa fshatra të njësisë administrative Ostren të Bulqizës, Selishtë e Lurë të Dibrës, Stojan të Matit e Ketë të Klosit.

 

Ndërkohë që në segmentin Bogë-Theth dhe Tamare-Vermosh kanë ndërhyrë borëpastruesit për të zhbllokuar rrugët. Policia u ka bërë thirrje shoferëve që të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë.

 

Edhe në Fushë-Arrëz ka pasur rënie gurësh në disa pjesë të rrugës, por firma që mirëmban aksin ka ndërhyrë për t’i pastruar ato.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re