Numri i viktimave të përmbytjeve katastrofike pas çarjes së dy digve në qytetin libian Derna mund të arrijë nga 18,000 deri në 20,000, tha kryebashkiaku Abdulmenam al-Ghaithi.

Ai i tha televizionit Al Arabiya se këto vlerësime bazohen në numrin e rretheve të qytetit që janë zhdukur nga përmbytjet.

Trupat e më shumë se 5300 personave janë gjetur në këtë qytet deri më tani, tha ministri i Aviacionit Civil në administratën që udhëheq Libinë Lindore, Hichem Abu Chkiuat.

Ai shtoi se numri i personave të vdekur nga përmbytjet pritet të rritet ndjeshëm, raporton Reuters.

“Deti po nxjerr vazhdimisht dhjetëra trupa”, tha ministri, duke u shprehur se rindërtimi i Derna-s do të kushtojë miliarda dollarë.

Bilanci zyrtar i deritanishëm flet 11,300 viktima në Derna, ndërsa kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë.

Drejtuesit e administratës libiane me bazë në Tripoli i kanë bërë thirrje zyrës së prokurorit të vendit të hapë një hetim për çarjen e dy digave që çuan në përmbytje katastrofike.

Në ndërkohë, të vdekurit rrezikojnë të gjallët në këtë katastrofë. Këta të fundit janë angazhuar me gjetje e varrime trupash, por njëherësh rrezikohen nga sëmundje të ndryshme prej tyre.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re