Britania e Madhe filloi sot zinë 10-ditore menjëherë pasi Pallati Buckingham njoftoi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II të enjten.

Shumë aktivitete, përfshirë edhe punën e Parlamentit, janë shtyrë.

Dhoma e Komunave do të pezullohet deri më 21 shtator, por do të mblidhet të premten në mesditë për një seancë speciale, ku deputetët do të bëjnë homazhe për mbretëreshën e ndjerë deri në orën 22:00 sipas kohës lokale.

Gjithashtu edhe Dhoma e ulët e Parlamentit do të mblidhet të shtunën pasi një numër i vogël deputetësh do të bëjnë betimin ndaj mbretit Charles III ndërsa homazhet do të vazhdojnë deri në orën 22:00.

Anulohen ndeshjen e Premier Ligës

Ndeshjet e Premier Ligës angleze do të anulohen gjatë fundjavës. Gjithashtu janë shtyrë edhe ndeshjet në ligat skoceze, irlandeze dhe atë të Uellsit.

Të gjitha ngjarjet e garave me kuaj, përfshirë një nga ngjarjet kryesore – Royal Ascot, nuk do të zhvillohen për shkak të vdekjes së mbretëreshës.

Ndeshjet e kriketit, ragbit dhe hokejit gjithashtu janë shtyrë për këtë fundjavë.

Shfaqjet në teatro me drita të zbehta

Teatrot në të gjithë vendin ka të ngjarë të vazhdojnë të performojnë me drita të zbehta dhe një minutë heshtje.

Shoqëria e Teatrit të Londrës dhe ‘UK Theater’ thanë në një deklaratë se shfaqjet e planifikuara teatrale do të vazhdojnë gjatë periudhës zyrtare të zisë.

Të gjitha programet televizive në kanalet kryesore janë ndryshuar gjithashtu për shkak të zisë.

Ndalohen grevat

Të gjitha grevat, përfshirë atë industrial të planifikuar të premten të punonjësve të Postës Mbretërore, tani janë anuluar.

Anëtarët e Sindikatës së Punëtorëve të Komunikimit hoqën dorë nga greva 48-orëshe në një mosmarrëveshje mbi pagat dhe kushtet e punës.

“Pas lajmit shumë të trishtuar për vdekjen e Mbretëreshës dhe për respekt për shërbimin e saj ndaj vendit dhe familjes së saj, sindikata ka vendosur të anulojë aksionin e planifikuar të grevës për nesër”, tha sindikata.

Sindikata e transportit TSSA anuloi grevën e saj në shtator dhe do të respektojë periudhën e zisë publike. Anëtarët e Avanti West Coast kishin planifikuar një grevë për tre ditë me radhë nga 15 deri më 17 shtator.

Anëtarët e Sindikatës së Hekurudhave, Detareve dhe Transportit gjithashtu kishin planifikuar grevë midis 15 dhe 17 shtatorit, por përmes një deklarate ata njoftuan se kanë anuluar grevën.

“Aksioni i planifikuar i grevës hekurudhore më 15 dhe 17 shtator është pezulluar. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e saj, miqtë dhe vendin”, thuhet në deklaratën e sindikatës.

Burimi: Trt Shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re