Subscribe

Dhjetë milionë lekë për dhjetë shfaqje premierë në teatër. Janë pak, por për regjisorët e rinj këto para mjaftojnë për të vënë në skenë jo thjesht një shfaqje, por mbi të gjitha për t’iu dhënë jetë ambicieve profesionale.

 

Ina Morinaj, fituese e fondit të teatrit për të rinj, gjendet përballë sfidës për të dhënë maksimumin e mundshëm me fondin më modest.

 

“Ne e dimë si janë kushtet në teatrot shqiptare. nuk mund të bëjmë sikur vijmë nga La Scala dhe kemi buxhete të vogla këtu. Por me aq sa na është dhënë ne do të themi këto të vërteta e do të kënaqim veten dhe publikun.”, tha regjisorja Ina Morinaj.

 

Regjisorët e rinj nuk e fshehin ankthin e ballafaqimit me publikun që nuk i njeh.

 

“Duke qenë se je dhe një emër i ri për publikun mund të kenë pak atë kompleksin për të ardhur e për të ndjekur shfaqen”, tha regjisori, Gerti Palali.

 

Ndonëse jo në përmasat e duhura, dhjetë shfaqje premierë për drejtuesit e teatrit eksperimental konsiderohen si trampolinë për trupën e re teatrale.

 

“Nëpërmjet këtij festivali ne arrijmë të selektojmë vlera dhe të shohim perspektivën e regjisë aktrimit dhe të gjithë elementëve të tjerë përbërës të teatrit”, tha Gjergj Prevazi, Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental.

 

Festivali teatror “Hapat” vjen për të dytin vit radhazi. Ai fillon këtë të martë e vijon deri më datë 10 dhjetor  në dy skena në atë të Teatrit Eksperimental dhe ne atë të universitetit të arteve, ku do të ndahen dhe tetë çmime për shfaqet më të mira.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re