Dhjetë persona janë lënduar në orët e hershme të së mërkurës së 22 nëntorit si pasojë e shpërthimit të një granate dore në një treg të kafshëve në qytetin jugor të Kosovës, Prizren.

 

Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zëdhënësi për Informim i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Vesel Gashi.

 

Pesë nga të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ndërsa të tjerët janë liruar nga spitali, tha shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti.

 

Ata u transferuan në QKUK për shkak të lëndimeve në gjoks dhe qafë, si dhe për shkak të mungesës se kirurgut torakal në Spitalin e Prizrenit, tha Veçgishti.

 

Ndërkohë, Gashi theksoi se tre persona të dyshuar për incidentin janë identifikuar dhe janë duke u kërkuar nga Policia.

 

“Rreth orës 04:50, policia ka pranuar informatë për një rast plagosjeje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se nëntë perona kane pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore”, tha Gashi.

Motivet e incidentit nuk janë bërë të ditura menjëherë.

 

Të lënduarit janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku po marrin trajtim mjekësor.

 

Në vendngjarje ka dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit për të mbledhur prova për rastin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re