Universiteti “Luarasi” hyn në vitin e dytë të bashkëpunimit me London School of (LSE), duke u dhënë mundësi studentëve shqiptarë të ndjekin në Tiranë programe me kurrikula të hartuara nga akademikët e universitetit prestigjioz britanik dhe të pajisen me diplomë të dyfishtë.
Zv.rektorja e Universitetit “Luarasi”, Ani Dasho, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, tregoi detaje mbi programet, mënyrën e studimit dhe skemën e re të bursave që synon të mbështesë studentët dhe maturantët me rezultate të larta.
Sipas Dashos, aktualisht ofrohen tre programe Bachelor: Financë, Menaxhim Biznesi dhe Data Science and Business Analytics. Pikërisht ky i fundit rezulton edhe programi më i kërkuar, në një kohë kur analiza e të dhënave është kthyer në një nga fushat me interes të lartë në tregun ndërkombëtar të punës.
“Është viti i dytë me gjigandin LSE. Të tre programet aktuale janë Bachelor në Financë, Menaxhim Biznesi dhe më i shumëkërkuari, që është trend në të gjithë botën, Data Science and Business Analytics. Studentët pajisen me diplomë të dyfishtë, diplomë nga Universiteti i Londrës nën drejtimin akademik të LSE dhe nga ‘Luarasi’. Kjo etapë, ku hyjmë në vitin e dytë, konsolidon edhe më tej bashkëpunimin”, u shpreh Dasho.
Një nga avantazhet kryesore, sipas zv.rektores, është mundësia që studentët shqiptarë të ndjekin nga Tirana një kurrikulë të hartuar nga akademikët e LSE, pa qenë të detyruar të përballojnë kostot që do të sillte zhvendosja dhe jetesa në Londër.
“Studenti ndjek kurrikulën e krijuar nga akademikët e LSE. Studenti, pa u larguar nga shtëpia dhe duke kursyer shpenzime, studion me kurrikula njësoj si në Londër. Ndryshimi me kurrikulat e tjera është rigoroziteti i vlerësimit ndërkombëtar”, deklaroi ajo.
Dasho u ndal edhe te mbështetja financiare për studentët, duke sjellë si shembull një student ekselence që aktualisht ndjek paralelisht dy programe universitare. Për vitin e ri akademik, Universiteti “Luarasi” ka parashikuar edhe një sistem të ri bursash. Sipas Dashos, në bashkëpunim me Albanian Development Fund (ADF) do të ofrohen 30 bursa për studentët, të ndara në dy kategori.
“Këtë vit kemi një sistem të ri për bursat. Në bashkëpunim me ADF kemi 30 bursa, 15 prej tyre në masën 50 për qind dhe 15 të tjera në masën 70 për qind, me mesatare mbi 8 dhe duke marrë në konsideratë edhe kriterin social”, shpjegoi Dasho.
Ajo theksoi se për Universitetin “Luarasi”, bashkëpunimi me LSE nuk lidhet vetëm me ofrimin e programeve ndërkombëtare në Shqipëri, por edhe me krijimin e mundësive për maturantët me rezultate të larta që të zhvillojnë potencialin e tyre pa qenë të detyruar të largohen jashtë vendit.
“Për ne, të qenurit një student i LSE është mbështetje për talentet e gjimnazistëve shqiptarë”, përfundoi Ani Dasho.
