Skip to content

Dhjetra të arrestuar nga policia në paradën e ndaluar LGBT në Stamboll

Policia turke arrestoi dje të paktën 115 aktivistë LGBT, protestues e gazetarë që kërkonin të marshonin duke promovuar të drejtat homoseksuale në Stamboll, në eventin që ishte ndaluar nga autoritetet.

Pas fitores elektorale në maj, Presidenti Erdogan ka vijuar politikën e kufizimit të këtyre grupeve madje e ka përdorur si argument fushate duke akuzuar opozitën se janë pro-LGBT, ndërsa është zotuar për një kushtetutë të re që do të ngrejë lart vlerat familjare.

Parada e këtij viti në Stamboll u organizua në zonë Sisli, nga ku aktivistët duhet të arrinin në sheshin qendror Taksim. Por pas ndërhyrjen së policisë 115 njerëz u arrestuan dhe gazetarët u ndaluan të mbulonin ngjarjet duke i rrethuar të gjithë në një zonë të vetme.

Një ndalim i ngjashëm u bë dhe ndaj një parade të planifikuar në Izmir, qyteti bregdetar, i treti më i madh në Turqi, ku pati gjithashtu dhjetra të arrestuar.