Banorët e Manzës janë duke protestuar sot për të tretën ditë me radhë, për shkak të hedhjes së mbetjeve urbane të qytetit të Durrësit në zonat përrreth tyre. Dhjetra banorë janë organizuar për të bllokuar kamionët me plehra që do të hidheshin në Manzë, dhe më pas do të digjeshin duke shkaktuar një masakër mjedisore.

Në një lidhje telefonike me Fax News, kreu i PD-së në zonën e Manzës Gazmir Luku, tha se nuk mund të hidhen dhe të digjen plehrat në këtë zonë, që është në afërsi të një atraksioni turistik siç është Gjiri i Lalzit. Kreu i PD-së tha se mbetjet që hidhen pranë një përroi përshkrojnë një gjatës prej 10 kilometrash derisa mbërrijnë në det, ndërkohë që uji i përroit përdoret dhe nga banorët për ujitjen e të mbjelljave, duke rrezikuar dhe cilësinë e tyre.

“Njësia vendore Manzë ka një popullsi rreth 12 mijë banorë, në afërsi të minierës së qymyrgurit, ka pasur një vend ku hidheshin plehra, të vetë qytezës. Por jo që të vijnë dhjetra kamionë të qytetit të Durrësit, që janë 8 ditë pa u mbledhur plehrat. Nuk mund të sillen 200-300 ton mbetje në Manzë, plehrat hiqen nga Durrësi dhe sillen në Manzë, që është një zonë shumë e bukur.

Nga përroi do të shkojnë në det, që është një gjatësi rreth 10 kilometra, dhe do të ndosë të gjithë zonën. Qytetarët marrin ujin e përroit për zarzavatet, jemi në vitin 2020 dhe ne ende i hedhim mbeturinat vend e pa vend, ju lutem kemi të bëjmë me një zonë turistike, a është kjo një katastrofë ekologjike apo nuk është. Prej tre vitesh në atë përrua hidhen plehrat e Manzës, Sukthit dhe Ishmit, duhet të ndahen llojet e mbetjeve, pasi ka dhe mbetje spitalore.

Janë mbeturina që lëshojnë erë, nuk mund të presim ne sa të lidhet marrëveshja, aq më shumë që plehrave u është vënë flaka, nuk jetohet aty, kemi njerëz me amëz, njerëz të vjetër, kjo është bërë e padyrueshme. Duhet të shtojmë se në këtë zonë derdhen pa asnjë filtrim të mëparshëm dhe fekalet e komunitetit muxhahedin. Ne do të vazhdojmë protestat, unë kam lindur, jetoj dhe do të vdes në manëz, po nuk punuam ne sot për brezat e ardhshëm, do të shtohen sëmundjet kancerogjene, edhe mbeturinat e Manzës vetë nuk duhet të hidhen ashtu pa asnjë selektim”, u shpreh kreu i PD-së Luku.

Prej disa ditësh situata me plehrat në qytetin e Durrësit është alarmante, pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos, i cili tashmë është nën një proces rehabilitimi. Teksa Bashkia e Durrësit nuk ka ende një marrëveshje me ministrinë e Financave për të bërë transportimin e tyre drejt landfillit të Sharrës, duket se është gjetur një zgjidhje provizore, duke i çuar dhjetra ton me mbetje në Manzë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re