Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, Këshilli i Federatës, ratifikoi njëzëri sot marrëveshjet për bashkëngjitjen e katër rajoneve ukrainase në territorin rus.

Të gjithë anëtarët e dhomës së ulët të parlamentit rus, Duma e Shtetit, votuan gjithashtu të hënën në favor të marrëveshjeve për përfshirjen e rajoneve Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia në Rusi.

Pasi të dyja dhomat e parlamentit rus të kenë miratuar dokumentet, presidenti rus Vladimir Putin do t’i nënshkruajë ato në ligj.

Gjithashtu do të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme në kushtetutën ruse, pasi ajo përcakton numrin e rajoneve në vend dhe çështje të tjera të organizimit territorial.

Të premten e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi marrëveshjen me autoritetet separatiste të katër rajoneve të shkëputura të Ukrainës për t’u bashkuar me Rusinë, pas referendumeve të mbajtura më 23-27 shtator.

Referendumet janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa vendet evropiane dhe SHBA-ja i quajtën ato si “mashtrim”, duke nënvizuar se nuk do të njihen.

Duke e quajtur lëvizjen e Moskës “një shkelje e rëndë e parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, Türkiye ka thënë gjithashtu: “Hedhim poshtë vendimin e Rusisë për aneksimin e rajoneve të Ukrainës – Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhzhia”.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re