Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të bëjnë një kallëzim penal në SPAK ndaj kreut të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ministrit të Brendshëm Sandër Lleshajt si dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliut.

Kallëzimi penal do të bëhet për veprën penale “vr asje e mbetur ne tentative”, dhe do të depozitohet nesër në orën 11:00 në SPAK.

Kujtojmë se prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim në lidhje me kallëzimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku.

Ky kallëzim erdhi pas kalimit të godinës së Teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe vendimit të kësaj të fundit për ta shembur atë.

Më 6 maj, AMT kallëzoi pranë SPAK, Veliajn dhe Maznikun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarëve që kryejnë funksione publike”.

“Ne gjatë kësaj kohe kemi bërë gjithë analizën ligjore financiare qoftë të ligjit special, qoftë të VKM-së 352 që ka dalë në zbatim të ligjit special. Neni 3 i ligjit special e qartëson specifikisht që ndërtimi i teatrit të ri kombëtar do të bëhet me partneritet publik-privat. Pra në këtë pikë nuk ka më mundësi që ky ndërtim të bëhet vetëm nga pala e shtetit”,-tha atëherë për mediet aktivistja Adriana Kalaja, e cila shtoi se ishin edhe kundër ligjit special dhe VKM-së të nxjerrë për mundësimin e zbatimit të tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re