Nga Klaudjan Memaj

Dhuna është një term që në vende të ndryshme, pavarsisht si shkruhet dhe lexohet, kuptohet njësoj.
Format e ushtrimit të saj dhe pasojat janë të njëjta. Por nga ndryshon dhuna “Made in Albania” nga dhuna në vende të tjera.
Ndryshimi qëndron tek shkaqet e shfaqes së saj.
Target grupi më i prekur nga ky fenomen janë femrat. Po pse dhunohen femrat në Shqipëri?
Ndër shkaqët e pafundme të dhunës ndaj femrave, që mund të gjenden në cdo vend tjetër, një prej tyre tërheq vëmendjen si arsye tipeke shqiptare -MENTALITETI.
Ne si shoqëri ndër shekuj i kemi përcaktuar femrës në mënyrë strikte se si duhet të sillet në familje dhe shoqëri, detyrat që ajo ka, si duhet të vishet, kur duhet të flasi, sa duhet të shkollohet, çfarë ambicie duhet të ketë etj.
E sa herë ato përpiqen të dalin përtej kësaj kornize ne reagojmë, i çirremi, e ofendojmë, e dhunojmë, e në disa raste mund ta hedhim nga kati i pestë i ndonjë pallati.

Kur themi “NE”, e kam fjalën për meshkujt shqiptarë, për atë meshkuj që kurrë nuk e kuptuan që koha ndryshon, që familja funksionon ndryshe, që gratë dhe vajzat kanë të drejtat e tyre dhe mund të jenë të barabarta me ta.
Kjo kategori meshkujsh të frustruar, të tredhur, me ego të sëmurë, janë gati të bëjnë gjithçka për të ruajtur kontrollin në familje dhe superioritetin ndaj femrave.
Edhe pse ata nuk punojnë, rrinë gjithë ditën në lokale dhe lojra fati, vijnë të dehur në shtëpi, nuk ju bie mendja se cfarë po ndosh me ecurinë e fëmijëve në shkollë, apo si po ecën ekonomia familjare, ata sërish reagojnë ashpër kur ju cënohet “burrëria” e tyre.
E si këta meshkuj për fat të keq kemi shumë rreth e rrotull, natyrisht jo të gjithë, por kemi dhe këtë duhet ta pranojmë.
Familja shqiptare është në një tranzicion të thellë të egzistencës së saj. Ne po kalojmë nga familja tipike patriakale, me burrin si autoritet suprem, në familjen e hapur e të barabartë, në famijen e një shoqërie të zhvilluar ku meshkujt dhe femrat janë njësoj.
Këtë nuk superojmë dot ne, ndryshimin.
Bëhemi keq kur mendojmë që kontrolli po na del jashtë kontrollit. Ndaj reagojmë ashpër, sepse vetëm ashtu mendojmë se mund të ruajmë autoritetin e trashëguar në familje.

Por indiciet nuk janë të mira për ne, vajzat dhe gratë po na marrin terren.
Ato po shkollohen, po pozicionohen në vende të mira pune, kanë krijuar rrethet e tyre shoqërore, po marrin kuraje të mbrojnë të drejtat, kanë iniciuar ligje në mbrojtje të tyre dhe po na e faktojnë cdo ditë e më tepër që do të vij një moment që familja nuk do të ketë vetëm BURRË por edhe GRUA, që shoqëria nuk komandohet vetëm nga MESHKUJT por edhe nga FEMRAT, që vendi nuk mund të udhëhiqet vetëm nga POLITIKANË por edhe nga POLITIKANE, dhe duam apo nuk duam ne do të jemi të barabartë.
Por derisa të arrihet kjo familja është ende në tranzicion, e derisa tranzicioni të mbarojë do të kemi dhunë “Made in Albania”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re