Nuk ka ditë që autoritet nuk raportojnë për rastet e dhunës në familje, veçanërisht për rastet kur viktima të dhunës mbeten gratë. Së fundmi në Tiranë, dy burra të moshave 44 e 46 vjeç, kanë përfunduar në prangat e policisë pasi kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve.

Më konkretisht, sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi F. D., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

Gjithashtu në pranga ka rënë shtetasi K. A., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”. Ky i fundit ka rrahur të shoqen edhe pse kjo e fundit ka patur një urdhër mbrojtje nga Gjykata.

Ndërkohë në Dibër, autoritetet kanë njoftuar për një rast tepër të trishtë e të rëndë, atje ku një grua ka tentuar t’i japë fund jetës, për t’i shpëtuar dhunës së të shoqit.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M., 43 vjeç, banues në Dibër. Ky shtetas ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe si pasojë kjo e fundit ka tentuar vetëvrasjen duke konsumuar lëndë helmuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re