Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim të dytë lidhur me dhunën në të cilën u përfshi Kuvendi i Kosovës. Rama shkruan se nuk ka rëndësi se nga kush është iniciuar dhuna fizike, por dështimi i funksionimit të demokracisë.

 

Kreu i qeverisë shton se Kosova u përfshi në një shfaqje skandaloze dhe ka rënë shumë poshtë në sytë e botës.

 

Rama ka përsëritur thirrjen e tij ndaj opozitës së Kosovës për t’u tërhequr nga skenat e dhunës.

 

“Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme. Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!”, shkruan Rama.

 

Debatet mes mazhorancës dhe opozitës për incizimet e publikuara, ku kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari shfaqet duke biseduar me Milan Radoiçiqin, degarduan në dhunë fizike mes deputetëve të kuvendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re