Policia e Shtetit, ka reaguar në lidhje me episode e dhunës së përsëritur në stadium. Përmes një njoftimi për mediat Policia e Shtetit ka kritikuar ashpër Federatën Shqiptare të Futbollit.

 

Ndërkohë që ky institucion shprehet se policia  ka kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me federatën për mbarëvajtjen e sfidave në superiore duke ripërsëritur faktin se ajo është vetëm një nga aktorët e menaxhimit.

 

Policia në përgjigje të akuzave të FSHF-së për neglizhenca dhe mos ndëshkimin e shkelësve, informon se janë marrë masa administrative dhe penale ndaj shkeljeve të konstatuara në ndeshjet e sezonit të fundit të futbollit. Në reagimin e saj ai, policia thekson se janë proceduar penalisht 37 tifozë, drejtues klubesh, në lidhje me incidentet e shkaktuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit, goditje për shkak të detyrës, dëmtim prone, kundërshtim punonjësi policie, prishje rendi dhe qetësie publike, etj.

 

Gjithashtu në këtë reagim policia konstaton me keqardhje se pjesa më e madhe e organizatorëve të ndeshjeve dhe terrenet sportive, nuk përmbushin detyrimet minimale për organizimin dhe sigurinë e një ndeshjeje.

 

“Nuk lidhin kontratë me shoqëritë private të sigurisë fizike, në përmbushje të përgjegjësive institucionale të përcaktuara në nenin 51, të Ligjit Nr. 79/2017 “Për Sportin”, subjekte të cilat duhet të kryejnë:

  • Kontrollin e tifozëve në portat hyrëse në mjedisin sportiv;
  • Sigurimin e vendkalimeve publike në mjedisin sportiv;
  • Drejtimin e spektatorëve tek ulëset në mjedisin sportiv dhe mbajtjen e tyre nën kontroll;
  • Sigurimin dhe mbrojtjen e lojtarëve nga futja e tifozëve në mjedisin sportiv.

Nuk zbatohet detyrimi për njoftimin e strukturave të Policisë së Shtetit nga organizatorët 7 ditë kalendarike përpara zhvillimit të ndeshjes, në zbatim të nenit 50, të Ligjit Nr. 79/2017 “Për sportin”.

Nuk zbatohen kërkesat e Ligjit Nr. 19/2016, datë 22.09.2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, pasi në mjediset e terrenet sportiv nuk janë instaluar:

  • Kamera të tipit ÇTV, me rezolucion të lartë;
  • Nuk janë hartuar skemat e ruajtjes dhe sigurimit të objektit (terrenit sportiv), të cilat duhet të miratohen nga Shefi i Komisariatit të Policisë.

Mos përmbushja e këtyre detyrimeve ka sjellë mos parandalimin dhe monitorimin e ngjarjeve apo incidenteve të ndodhura gjatë zhvillimit të aktiviteteve, duke krijuar vështirësi në dokumentimin ligjor të tyre dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të veprave penale.

Nuk janë përmbushur si duhet detyrimet e përcaktuara në nenin 48, të Ligjit Nr. 79/2017, “Për Sportin”, përsa i përket “Ndalimit të provokimeve dhe sjelljeve të palejuara”, pasi janë konstatuar problematika të shumta në drejtim të provokimeve dhe sjelljeve të palejuara nga ana e tifozerive, më e theksuar kjo për tifozeritë e ekipeve të kryeqytetit.

Edhe më i rëndë është fakti, se në disa raste shkaktarë të incidenteve që degjeruan në dhunë, janë vetë organizatorët e ndeshjeve, siç ishte rasti i ndeshjes Kamza-Laçi e zhvilluar 3 mars 2019, ku u arrestuan edhe 4 pjesëtarë të stafit organizator të takimit.”

 

Ndërkohë Policia e Shtetit ka theksuar ndër të tjera se ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi, lidhur me mbarëvajtjen e aktiviteteve të futbollit, për planifikimin dhe marrjen e masave të sigurisë së këtyre aktiviteteve në të gjithë vendin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re