Skip to content

Dhunë dhe konflikte familjare në Berat e Skrapar, një i arrestuar dhe dy nën hetim

Dhunë në familje dhe shqetësime ndaj ish-bashkëshortes, tre raste të proceduara në Berat dhe Skrapar

Strukturat e Policisë së Qarkut Berat kanë ndërhyrë në disa raste të dhunës në familje dhe konflikteve mes shtetasve, duke arrestuar një person dhe proceduar penalisht dy të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 46 vjeç, banues në fshatin Prishtë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij dhe ka tentuar të godasë me sëpatë babanë.

Ndërkohë, specialistët e Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin E. V., 40 vjeç, banues në Dimal, i dyshuar për ushtrim dhune psikologjike ndaj bashkëshortes.

Po ashtu, specialistët e Komisariatit të Policisë Berat nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 39 vjeç, banues në Dimal, pasi dyshohet se ka shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme ish-bashkëshorten përmes telefonit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.