Pas rikthimit të qeli, Gjykata u ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ 3 personave pranishëm në vendin e krimit ku i riu Denis Meçe dyshohet se dhunoi për vdekje 42-vjeçarin Egli Progën, ngjarje e ndodhur 10 Gusht në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit.
Tre të akuzuarit për moskallëzim krimi Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe ishin liruar nga kjo gjykatë, por disa muaj pas ngjarjes, e ka ndryshuar masën ndaj tyre nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në “Arrest në burg”, për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”.
Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe raportohet se kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.
Avokati mbrojtës i tre personave, ka deklaruar para mediave se është absurde që tre klientët e tij të inkriminohen dhe të lihen në burg.
“Gjykata thjesht miratoi masën e sigurimit që kishte caktuar prokuroria para 3 ditësh.
Argumentet, kur të njihemi me vendimin e gjykatës. Unë mbajta një qëndrim që normalisht dijet,3 shtetasit të cilët dyshohet se kanë kryer një vepër penale nuk ka prova deri në këto momente, të paktën të mbrojturit për meje, që të inkriminojë apo të kenë lidhje me atë që akuzohej për veprimet që pengojnë zbulimin e të vërtetës, cila është diçka absurde.
Prova të reja sipas prokurorisë është një akt ekspertime me të cilin ende nuk jemi njohur, i cili thotë se mund të ketë patur ndërhyrje në kamera për të dyja objektet.
Është caktuar masë e re e sigurimit, sipas prokurorisë është një akt ekspertimi që nuk jemi njohur.
Unë nuk jam hetues jam avokat s’mund të jap përgjigje nëse janë prishur provat.
Nuk janë marrë në pyetje edhe pse kanë qenë me masë sigurim detyrim paraqitje, nuk i ka thirrur njeri”, tha avokati mbrojtjes.
Kujtojmë se Prokuroria e Korçës ka arritur në përfundimin se ka pasur ndërhyrje në kamerat e brendshme të lokalit, pas më shumë se dy muajsh hetime për vdekjen e Egli Progës, për të cilën mbeten mister rrethanat se si ndodhi ngjarja.
42-vjeçari u dërgua pa shenja jete në spital, ndërsa nga ana e familjarëve të viktimës ka pasur akuza për tentativë të fshehjes së ngjarjes.
Gjithashtu në lidhje me vrasjen e Egli Progës, pati një përplasje publike të pazakontë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, pasi kjo e fundit ndryshoi akuzën ndaj autorit të dyshuar Denis Meçe në “vrasje nga pakujdesia”.
