
Dy raste dhune ndaj bluzave të bardha janë regjistruar brenda 24 orëve në Tiranë dhe në Lezhë.
Mësohet se është dhunuar mjeku dermatolog në spitalin e Lezhës Zef Doda. Ai u godit me mjete të forta dhe është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Dyshohet se mjeku është goditur nga i afërmi i një pacienti, një 24 vjeçar me inicialet E.LL.
“Sot, rreth orës 12:30, tek poliklinika e Spitalit Rajonal në Lezhë, shtetasi E.Ll. vjeç 24 , për shkak të detyres ka goditur fizikisht një mjek i cili është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të situates si dhe vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorit E.Ll. i cili është shpallur në kërkim.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq dhe në Tiranë është dhunuar në Urgjencën Kirurgjikale në QSUT mjekja specializante V.Zyka. Por rasti është raportuar vetëm sot.
Në lidhje me ngjarjen e parë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka dënuar rastet e dhunës.
“Dënojmë me forcë aktin barbar të dhunës ndaj mjekes specializante V.Z në klinikën e parë të kirurgjisë në QSUT dhe mjekut Z.D, i cili u dhunua fizikisht mesditën e sotme në ambientet e spitalit rajonal Lezhë. Kjo nuk është hera e parë që bluzat e bardha përballen me veprimeve të tilla të patolerueshme dhe të dënueshme.
Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke e denoncuar këtë akt, kërkon nga organet e drejtësisë të reagojnë menjëherë me dënimin e merituar për agresorët e mjekut dhe kërkon sensibilizimin dhe mbështetjen e shoqërisë për bluzat e bardha në krye të detyrës, në shërbim të popullatës.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.