Policia e Tiranës ka njoftuar se janë proceduar dy persona në lidhjen me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë ku u dhunua Kristi Fufi djali i ish deputetit të PD, Mhill Fufi.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: -D. D., 37 vjeç dhe A. L., 38 vjeç, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje”, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konfliktin e ndodhur në një residencë, në Farkë, me datë 25.04.2025”, thotë policia.
Kristi Fufi, 19 vjeç përfundoi në spital një natë më parë pas plagëve të marr në kokë nga goditje me sende të forta.
Ndërkohë ende nuk janë identifikuar dhe kapur personat e tjerë të përfshirë në dhunimin e Kristi Fufit, ngjarje e ndodhur në një rezidencë në Farkë mbrëmjen e së premtes (25 Prill).
Si ndodhi ngjarja
Sipas burimeve policore, kanë qenë disa persona me makinë që kanë mbërritur në lokalin ku po qëndronte Krist Fufi.
Ata kanë marrë shkopinj e sende te forta nga bagazhi i automjetit së tyre dhe kanë sulmuar 19-vjeçarin.
Sapo kanë mbërritur agresorët nuk e kanë gjetur të riun dhe kanë hyrë edhe brenda lokalit duke e kërkuar derisa e kanë gjetur dhe e kanë dhunuar.
Dyshohet se një prej agresorëve ka pasur edhe një armë zjarri në dorë por nuk ka qëlluar.
I riu i dhunuar ka marrë dëmtime në kokë dhe trup.