Policia e Gjirokastrës ka arrestuar 2 prej autorëve që dhunuan dje me sende të forta policin Sokrat Muho. Një ditë pas ngjarjes janë identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe dy të tjerë.

Muho u dërgua me urgjencë në spital ndërsa nuk dihet shkaqet që çuan këta 4 persona në dhunimin e efektivit të Gjirokastrës.

Njoftimi i policise:

Gjirokastër

Goditën me sende të forta punonjësin e Policisë të DVKM Gjirokastër, vihen në pranga 2 shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Shërbimet e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, ku disa persona goditën me sende të forta shtetasin S. M., punonjës policie i DVKM Gjirokastër, bënë të mundur identifikimin e 4 autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Në vijim të veprimeve hetimore janë vënë në pranga 2 prej autorëve të dyshuar, shtetasit G. Zh., 35 vjeç dhe G. R., 22 vjeç, banues në Sarandë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerët, shtetasit K. Zh., 23 vjeç dhe S. S., 30 vjeç, banues në Sarandë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re