ASIM TORO/Diabeti është një ndër sëmundjet kronike tipike, që përfaqëson sfidën epidemike më problematike të shekullit të ri.

Sot, në botë numërohen rreth 425.000.000 persona me diabet. Në një vend të vogël si Shqipëria, ky numër mendohet të jetë 249.000. Diabeti është një sëmundje që të gjithë duhet ta pranojnë dhe të bashkëjetojnë me të gjatë gjithë jetës.

Nëpërmjet marrjes së rregullt të medikamenteve, monitorimit të glicemive, dietës dhe aktivitetit fizik është arritur të dominohen dhe minimizohen komplikacionet e diabetit. Për fat të keq, jo të gjithë pacientët e diagnostikuar me diabet marrin ndihmën e duhur, duke çuar në këtë mënyrë në shtimin e komplikacioneve diabetike.

Qëllimi kryesor është ndërgjegjësimi i popullatës diabetike dhe të afërmve në parandalimin e komplikacioneve. Strukturat publike e private duhet të bashkëpunojnë intensivisht dhe në mënyrë aktive për të arritur synimet me interes të përbashkët. Këshillimet vijojnë si më poshtë: EKG dhe lipidogramë e fraksionuar një herë në vit. Kontroll vjetor i funksionit renal, duke monitoruar vlerat e azotemisë, kreatininemisë dhe proteinurisë.

Kontroll stomatologjik 2 herë në vit. HbA1c 1 herë në 3 muaj. Fundus Oculi 1 herë në vit. ENG 1 herë në vit. Glukagoni, vlera e të cilit është thelbësore në korrigjimin e hipoglicemisë.

Rimbursimi i medikamenteve antidiabetike, insulina dhe mjeteve të vetëkontrollit, aparatet e glicemisë stripset, aget dhe lancetat. Pacientët diabetikë injektojnë insulinën nëpërmjet ageve, të cilat duhet të jenë njëpërdorimshme.

Në rast se një age përdoret disa herë, rrezikohet bllokimi i saj, duke kompromentuar kalimin e insulinës gjatë injektimit dhe humbja e sterilitetit të saj, duke e kthyer në burim infeksioni. Një diabetik aplikon insulinë mesatarisht 4 herë në ditë, duke krijuar në këtë mënyrë nevojën e disponimit të një sasie prej 120 age insulinash në muaj. Monitorim i plotë i glicemive Problematike e trajtuar jo pak herë është monitorimi i shpeshtë i glicemive. Matjet e vlerave glicemike esëll dhe para vakteve informojnë në lidhje me dozën insulinike që duhet përdorur, sasinë e ushqimit që duhet marrë dhe qëndrimin që duhet mbajtur më në vazhdimësi.

Minimalisht, gjatë harkut kohor të një dite, duhen bërë 4 matje të vlerave glicemike, për të siguruar një kontroll të mirë të diabetit. Duke qenë se fishat e monitorimit të glicemive janë të parimbursueshme nga shteti, pacientët kujdesen vetë për t’i siguruar. Në varësi të të ardhurave, jo të gjithë pacientët mundet të sigurojnë mjaftueshëm 4 fisha në ditë për të kryer një monitorim adekuat ditor, duke matur gliceminë në mënyrë sporadike dhe duke ruajtur dozat e insulinave pa e njohur vlerën e glicemisë, duke vetëpranuar në këtë mënyrë dëmtimin e trupit të tyre në heshtje.

Jo pak herë janë vënë re në tregun shqiptar fisha jocilësore, rezultatet e rreme të të cilave janë shoqëruar shpesh me vlera të larta të HbA1c dhe të pasuara më tutje me shfaqjen e komplikacioneve. Ne, pacientët që e vuajmë prej shumë vitesh këtë sëmundje, që përballemi me të përditë, ndihemi të neglizhuar, të papërkrahur nga shteti ynë. Aktualisht është përcaktuar një asistencë mujore prej 10.400 lekësh, e dhënë jo gjithmonë në kohën e duhur, herë-herë pas 3-4 muajsh, e cila është e pamundur të përmbushë shlyerjen e vlerave të të gjitha analizave të lartpërmendura, të realizuara privatisht.

Problematikë tjetër e hasur gjerësisht në pacientët diabetikë është momenti i ndryshimit ose edhe i verifikimit të penave insulinës, proces i cili kërkon medoemos kalimin e pacientit nën kontrollin e mjekëve endokrinologë të shërbimit të konsultave të QSU “Nënë Tereza”. Ky rrugëtim bëhet akoma më i vështirë në pacientët e rretheve, të cilët duhet patjetër të kërkojnë leje në punët përkatëse nga punëdhënësit për të ardhur në Tiranë, pa llogaritur këtu shpenzimet. Për të mos folur për vështirësinë e diabetikëve për të gjetur një vend pune. Në momente të tilla gjej vend të citoj vargjet e shkrimtarit të njohur, Migjenit: “O si nuk kam një grusht të fortë”. Duke pasur frikë nga e ardhmja e duke u kapur fort pas jetës, duke mos pasur përkrahje nga shteti ynë në këtë luftë të vështirë e të pashtershme, e shikojmë më të lehtë drejtimin në struktura private. Gjithçka e përmendur më sipër bën pjesë në kontrollet rutinë që duhet të kryejë një diabetik. Po nëse gjatë atyre kontrolleve do të evidentohej ndonjë problem? Po nëse është vonë dhe komplikacionet e diabetit kanë filluar të shfaqen? Në të tilla raste vijon një kalvar i gjatë me analiza dhe kontrolle nëpër klinikat e specializuara përkatëse dhe shifra e shpenzimeve tejkalon ndjeshëm vlerat e ekzaminimeve rutinë. Diabeti është një patologji me kosto të lartë shëndetësore dhe sociale.

Një shërbim korrekt shëndetësor, duke mbështetur një trajtim efikas dhe ndjekje rigoroze të sëmundjes, do të ishte në gjendje të pakësonte koston marramendëse që kërkojnë për t’u trajtuar ndërlikimet në të ardhmen. Diabeti nuk është shqetësimi i vetëm një personi, as edhe i një grupi të caktuar. Ky problem global do të rrisë koston e shtetit disa herë në të ardhmen për të mbuluar asistencën e pacientëve nën komplikacione! Nëse nuk do të vazhdojmë të kemi mbështetje në parandalim, nesër do të paguhet 10-fishi! E ardhmja është sot, nesër është vonë! President i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re