Nga Bujar M. Hoxha, me Ilir Ademin

Pamja madhështore e faljes së Fitër Bajramit nga mijëra njerëz në sheshin qendror të kryeqytetit shqiptar, apo, ndryshe, nga një vështrim me shumë vështrime brenda, në oborrin e Xhamisë së Et’hem Beut, e cinikisht, mbase dhe me pak sarkazëm, nën sytë e kalorësit me famë ndër trojet tona e tej tyre, do të ishte mbyllje –  e thënë kështu prej instrumentalizimit të vitpërvitshëm nga mospërballues dhe mospërtypës të realitetit – epike. Vetë ky mbiemëror është në të vërtetë reflektim i një instrumentalizimi, por në të njëjtën kohë pasojë e një ngacmimi humorprishës sa herë që muslimanëve u vjen radha për të patur momente gëzimi në “sheshin e të gjithëve”. Për të qenë të drejtë, ky ngacmim ka munguar këtë herë të jetë një kor i organizuar,  mbase sepse vlerësuesit e deridjeshëm të muslimanëve si “tjetri” i shoqërisë po kuptojnë avash-avash se normaliteti i gjendjes i përcakton ata si “tjetrin”.

Kjo majë vullkanike e ngjarjes më të dukshme dhe me më prani shoqërore në një muaj të tërë, ky shpërthim vibrant emocional i pandeshur deri më sot, do duhet ta ketë një shpjegim të arsyeshëm, sociologjik apo ndryshe. Jo i parë njëlloj nga vetë pjesëmarrësit, prej atyre me teh të mprehtë në shprehje mendimesh gjithëpërfaqësuese, bëhet më intrigues depërtimi në “misterin” e kësaj dallge oqeanike ndjenjeje fetare. Afërsia me fenomenin mund të cenojë objektivitetin, prandaj gjykimi më larg, më ftohtë, ngjan më i përshtatshëm. Tre javë më tutje, një dialog i nxitur, por jo i nxituar, jo i pakohshëm, me thuajse të vetmin të dalë në ekran në atë muaj agjërimi me xhirime të freskëta televizive, na çon fillimisht te një fjalë që i shkon tejembanë pamjes ngado në qytete në atë muaj e në mëngjesin e festës, bajramit: dyndje!

Kjo është koha për Ilir Ademin për të folur jashtë kornizës së emisionit “Kjo është koha”, i çlodhur, i çliruar, i çlirët, i lirë…

Përpara se të shkohet te  shpjegimi i “dyndjes”, bosht i bisedës, ai modestisht rrëfen, në mesin e një rituali gati përjashtueshmërisht tejet shqiptar, tek rrufit kafenë në një nga kafenetë e panumërta të kryeqytetit, në një gjendje thuajse absurde, ku përzihet dhunshëm prej mjedisit të ngushtë biseda serioze me shfaqje formash sensuale të dhuruara falas prej trupash e mendjesh femërore të seksualizuara, se “Kjo është koha” ishte ndër të paktët emisione në Ramazan që i fliste individit dhe shoqërisë për të vërtetën, rëndësisë dhe raportit të tyre me të: “Këtë – vënien në pah dhe diskutimin e raportit me të vërtetën, për të mësuarit e së vërtetës – nuk ta thotë asnjë medium tjetër, nuk e ka të rëndësishëm asnjë medium tjetër, as shkolla, as publicistika. Sepse në postmodernizëm nuk ka rëndësi e vërteta, por ndjesia, dhe në këtë kurth bie shpesh dhe fetaria. Pra, për këtë (lloj emisioni) kishin nevojë si fetarët dhe jofetarët, për të thënë se Ramazani nuk është çështje ndjesish, e të ndierit mirë, siç e përshkruajnë shpesh agjëruesit për herë të parë ose ata të cilët kanë disa vite që thjesht agjërojnë, për të qartësuar se ne nuk agjërojmë thjesht për t’u ndier mirë, por nga një urdhër i Zotit, për të shkuar për te e Vërteta. Thelbi është e vërteta, dhe shoqëria shqiptare, si shumë shoqëri të tjera, është e zbrazët në këtë lloj fokusi. Edhe nëse ka debat, ai është për çështje pragmatiste, por mungojnë pyetjet dhe shtjellimet e thella mbi ekzistencën, mbi të Vërtetën. Emisioni, pra, ishte një platformë që synonte diskutimin dhe nënvizimin e raportit me të vërtetën.”

Pa shterur ende kjo rrëke fjalësh, pa u ndërprerë mendimi prej kuturisjesh ngacmuese…, Iliri rrëfen ndërthurjen e trefishtë të programacionit, me thirrje në studio të hoxhallarëve, historianëve, e profesorëve dhe analistëve, dhe një plotësim të mbrëmjes me “Minaret e kujtesës”, reportazhet që rifreskuan një të shkuar deri diku të harruar në mendje dhe në praktikë. Për të shtuar se objektiv i këtyre reportazheve nuk ishte prekja e “telave” të njerëzve me një raport me të shenjtën, të dhënë në njëfarë mënyre pas një jetese sociale me besimin në qendër, por e atyre pa asnjë zë në vesh për t’u treguar të vërtetën, rrugën ku shkelja nuk të çon në thepisje…

Komentet negative të orkestruara në materalet filmike të publikuara në rrjetet sociale a në faqe të caktuara elektronike nuk i ikin pa vënë në pah, si një fenomen ekskluziv i këtij Ramazani. Të mbira si kërpudha të helmëta, në kor e thuajse kudo, ngjanë të çuditshme në një mjedis – për t’u pranuar – jo islamofob, për çka ngjallin drojen e arsyetuar se kanë një dorë pas. E përforcuar kjo me faktin se identitetet, profilet, e komentuesve rezultonin të rreme, “fake”. Shtënë nën përkufizim si “insekte dixhitale”, synonin të prishnin perceptimin pozitiv mbi materialet e publikuara, të mos linin terren për komentet pozitive, dhe të krijonin vatra ferrishtesh në mesin e luadhit plot lule pranvere të hershme agjërimore. Janë përpjekur kësisoj të inkurajojnë mllefqarët ndaj besimit të shumicës e të strukur prej masivitetit të adhurimit specifik njëmujor. Rreziku, nëse mund të quhej i këtillë e nëse do të shihej më larg, qëndron në tentativën e prishjes së një mjedisi shumë më të gjerë, vërtetësisht të harmonishëm.

I japim vend, më në fund, veçorisë shembullore, gati të pashpjegueshme, të masivitetit, shpërthimit të numrit të agjëruesve, dallueshëm ndër të rinjtë. Nuk ishte ajo rritje e pritshme e çdo viti, por dallgë përmbytëse djemsh e vajzash nga 12-tat në 20-tat. I vetmi shpjegim – me gojën e Ilirit, të munduar gjatë duket për argument të besueshëm – është plotësimi i ciklit dyzetvjeçar kur’anor të ilustruar me historinë e Musait. Pasi ai, Musai, i nxori beni israilët nga dara torturuese e faraonit, nuk mundi të hyjë me ta në qytetin e premtuar prej Zotit, prej mentalitetit të tyre prej skllavi. Ata u endën në shkretëtirë për dyzet vjet, si një lloj ndëshkimi. Koha e gjatë e endjes i shërbeu shpëtimit prej asaj mendësie përmes ndërrimit të brezave. Në realitetin tonë – vijon Iliri – një periudhë shumë e gjatë nën një regjim komunisto-ateist do të rrezatonte, me logjikën kur’anore, mbi një kohë dyzetvjeçare, në fundin e së cilës tashmë jemi. Ky brez i ri i sotëm, i shfaqur kaq i hovshëm në muaj agjërimi, nuk ka, pra, thuajse asnjë lidhje me atë ateizëm të mbjellë në tokë – do duhet ta pranojmë – pjellore. “Agjërimi te kjo moshë nuk është mrekulli, por normalitet. Është tërësisht normale që një shoqëri me përkatësi islame në shumicë të jetë agjërueshëm në Ramazan! Dhe ne e shohim si mrekulli, ndërsa në të vërtetë thjesht po kthehemi te normaliteti, i mundësuar natyrshëm nga pastrimi vijimor prej kohës që shkon e ndërron njerëzit.”

Më tej, kuptimi i drejtë i fetarisë do duhet të reflektojë më tepër virtyt në shoqëri… Veç duhet ta kemi si vetëdije pashkëputjen e plotë nga ajo mënyrë të menduari, prej gangsterizmit të kuq, përdhosës të moralit, të pronës, të individit. Jemi në psikozën e ikjes prej atij ideologjizimi ndërkohë që na ndjek, na zë hera-herës e na ndikon sjelljen. Gjendemi, domethënë, në të mbaruar të dyzet viteve…

Ky konkluzion i heq arsyen dhe vazhdimit të dialogut, të lënë mbi këtë temë kur koha të jetë sërish…/tesheshi.com/       

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re