Kosova festoi sot 15-vjetorin e pavarësisë së saj, ndërkohë që sfidë mbetet dialogu me Serbinë dhe ecja përpara për anëtarësimin në BE dhe NATO.

 

Analisti Arbër Vllahiu, në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me Frida Mavriqi tha se Prishtina dhe Beogradi zyrtar duhet të njohin njëra-tjetrën dhe të ecinë përpara përmes planit franko-gjerman.

 

“Ajo që dihet deri tani nga plani franko-gjerman, nuk është përfundimtar për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por përafron palët të ecin më tutje.  Kosova dhe Serbia duhet të njohin njëra-tjetrën dhe të bashkëjetojnë sëbashku”.

 

Lidhur me takimin takimin e Kurtit dhe Vuçiç që do mbahet në datën 27 shkurt në Bruksel, Vllahiu tha se të dyja palët duhet të ulin tensionet dhe ta bëjnë më të lehtë rrugën e anëtarësimit drejt BE dhe NATO.

 

“Më në fund të dyja palët do ulen të diskutojnë dhe të ecin përpara. Ajo që duhet të ndodhte është që ato të takoheshin më shpesh dhe të ulnin tensionet. A do kryhet brenda këtij viti kjo marrëveshje? Kjo është tjetër gjë. Serbia duhet të kuptojë se Kosova është shtet i pavarur. Kurti duhet të kuptoj se bashkë me Vuçiç nuk mund të mbajnë peng. Kosova duhet të përmbyllë nënshtetësinë e saj. Marrëveshja me Serbinë do na hap rrugën në BE e NATO. Kurti duhet ta kuptojë këtë gjë”.

 

Sipas analistit, Kurti është pajtuar me planin franko-gjerman që është ofruar nga ndërkombëtarët si dhe me asosacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

 

Vllahiu komentoi edhe festimet e mbajtura sot në Prishtinë.

 

“Sot në Prishtinë kishte një demostrim të qytetarëve që kremtonin këtë që Kosova arriti në 15 vjet, arriti të bëhet një shtet demokratik, me institucione demokratike, mban zgjedhje demokratike dhe një shtet që synon të jetë pjesë e botës demokratike. Ka mbetur pa u mbyllur bisedimet me Serbinë të cilat janë zgjatur”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re