Jemi afër arritjes së marrëveshjes për disa dokumente, por hapi i fundit është më i vështiri, tha të mërkurën Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, pas takimeve në Bruksel me përfaqësuesit e të dy palëve.

“Pas 11 orësh negociata intensive të djeshme, jemi afër arritjes së marrëveshjes për disa dokumente. Por, siç ndodh shpesh, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon”, ka thënë ai në Twitter.

Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviç, ka thënë për Tanjug se pa formimin e Bashkimit të Komunave Serbe (ZSO) në Kosovë, nuk do të mund të arrihet përparim.

“Kemi përfunduar një raund tjetër bisedimesh (…). Çështja e parë dhe themelore që ngritëm është formimi i ZOS-së. Kanë kaluar nëntë vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe ne ende presim formimin e saj dhe të gjitha obligimet tjera duhet të zbatohen”, tha Petkoviç.

Që prej ndarjes nga Serbia në shkurt 2008, Beogradi është përpjekur të sigurojë një Asosacion në Kosovë, e cila do të bashkonte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës pranon të riorganizojë administrativisht veriun e vendit, por refuzon të pranojë që një Asosacion potencial të ketë të drejtën e vetos mbi vendimet e qeverisë.

Petkoviç tha se ka folur vetëm me Lajçakun, ndërsa përfaqësuesi i Kosovës Besnik Bislimi ka folur me Lajçakun në një takim të veçantë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re