LDK-ja edhe zyrtarisht e ka pranuar se Thaçin nuk po mund ta ndalin për të qenë kryenegociator i bisedimeve me Serbinë. Edhe pse thonë se për ta është person jo ideal për ta udhëhequr dialogun, shprehen se si parti do ta luajnë rolin konstruktiv edhe në këtë çështje.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në konferencën javore deklaroi se për partinë e tij nuk është me rëndësi se kush e udhëheq këtë proces, por temat dhe formati i diskutimeve.

“Nuk është çështje dhënia e mandatit të askujt, atë që kanë thënë zyrtarët e lartë të LDK-së është se nuk do tiu ikim përgjegjësive shtetërore. Para të hënës ne do të diskutojmë gjerësisht dhe do të merret qëndrimi.  Tema se kush duhet t’i udhëhe bisedimet nuk është tema më e rëndësishme, duhet të dakordohemi për formatin, temat”, tha Hoti.

Ai prezantoi edhe disa statistika të cilat sipas tij tregojnë besueshmërinë e vogël të qytetarëve në qeveri dhe presidentin.

“Nga hulumtimet e opinionit del që besimi në institucione kurrë nuk ka qenë më i ulët. 62% besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar. 70% e kanë vlerësuar qeverinë se ka bërë punë të dobët, 24% besojnë në qeveri. Dy problemet kryesore janë papunësia dhe korrupsioni”, tha Hoti.

Ai tutje kritikoi qeverinë për emërimin e koordinatorëve, të cilën e vlerësoi si abuzim me paranë publike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re