Kërkesa e ish-kryevetëvendosësit, tani deputet i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymerit, që sot në Parlament të diskutohet për dialogun ka nxitur reagimet e partive në pushtet, duke thënë se kjo kërkesë e opozitës po bëhet për ta zbehur rëndësinë e ditës së djeshme, kur Bashkimi Evropian dha rekomandimin pozitiv për vizat.

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi u habit nga urgjenca e diskutimit për degociatat, duke thënë se u frikësua mos na ka shpallur ndokush luftë.

“Unë u frikësova mos na ka shfaqë luftë najkush. Nuk është urgjente tema e dialogut se kemi diskutuar mjaft për të. Me ardhur e me u mundu me kidnapuar seancën për diçka urgjente, nuk është në rregull. Mundemi  nesër, pasnesër,  ndonjë ditë tjetër”, tha Krasniqi.

Kanë reaguar edhe përfaqësuesit e AAK-së dhe NISMA-s Socialdemokrate.

“Më shumë është për me e zbehë aktin e djeshëm për rekomandimin e vizave”, tha Ahmet Isufi i AAK-së.

Kurse Bilall Sherifi i NISMA-s tha se së pari duhet kaluar disa ligje.

“I kemi disa ligje ku mund t’i kalojmë pasi jemi një numër i konsiderueshëm i deputetëve”, ka thënë Bilall Sherifi i Nismës.

Edhe pse kërkesa e PSD-së u përkrah nga LDK dhe Vetëvendosje, në fund pas takimit të shefave të grupeve parlamentare me kryekuvendarin Kadri Veseli, u vendos që sot të vazhdohen pikat e rendit të ditës të papërfunduar nga shtatë seanca, ndërsa diskutimi për dialogun të bëhet në seancën e ardhshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re