Studiuesi Ardian Muhaj ka qenë i ftuar këtë të martë në studion e Fax News, ku ka folur për takimin e parë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Takimi u zhvillua ditën e sotme në Bruksel dhe tensionet nuk munguan, pasi Albin Kurti i kërkoi Vuçiç njohjen e Kosovës, ndërsa ky i fundit i tha se kjo gjë nuk do të ndodhë.
Sipas analistit Muhaj, Prishtina ka treguar një lloj mosrespekti për fqinjët, prandaj dhe duhet të ndryshojë qëndrim. Ai sugjeron një përafrim me Shqipërinë, por edhe një marrëveshje mirëkuptimi me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Shqiptarët e kanë shpallur pavarësinë. Askush nuk mund të dalë kundër. Serbia për momentin thotë kurrë nuk do ta njohim. Kjo kurrë është relative. Besoj se kontributi i Kryeministrit Kurti do të ishte nisja e përafrimit me Shqipërinë dhe fqinjët tjerë. Mirëkuptimi me Malin e Zi dhe Maqedoninë. Vetëm kjo arrin ta shmangë atë murin që nuk përgjigjet të Beogradit. Në fund të fundit të gjithë fqinjët e Kosovës, mjafton vetëm Shqipëria, do të ndikonin. Kemi mosrespekt nga ana e Prishtinës ndaj fqinjëve të tjerë. Kjo nuk është diplomatike. Do sillte më shumë pikë mirëkuptimi. Nisja e një dialogu rajonal, pa Serbinë, bilateral”, tha ai.
Për sa i përket kush e nisi dialogun Sërbi-Kosovë, Muhaj deklaroi se iniciativa u ndërmor nga Serbia me qëllimin e vetëm për të zhbërë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare që njeh pavarësinë e Kosovës.
“Dialogu është nisur me nismën e Serbisë. Është finalizu përmes një reziolutë të OKB-së. Kjo tregon se dialogun e ka fillu Serbia për të zhbërë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që i jep të drejtë Kosovës të jetë e pavarur. Në këtë aspekt, krejt dialogu për fat të keq është në favor të Serbisë,” theksoi Muhaj.
Për dialogun 10 vjeçar Kosovë-Serbi, Muhaj sheh si pjesën më produktive vetëm pjesën fillestare të dialogut kur dhe u caktuan çështjet teknike.
“Ky është takimi i parë i kësaj qeverie. Tashmë është mbush dekada e dialogut që ka filluar zyrtarisht në mars të vitit 2011. Progresi është nminimal. Pjesa më produktive ka qenë pjesa fillestare e dialogut, dy vitet e para që kishte çështje teknike, shumica e të cilëve janë zgjidhur. Tashmë kanë mbetur çështjet emocionale, politike, e marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, të cilat po e çojnë dialogun në një rrugë pa krye, ashtu siç është nis. Historia e dialogu është një përpjekje për të zhbërë një histori shumë jo në favor të Kosovës”, deklaroi analisti.
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb
