Kuvendi i Kosovës ka hapur sot dyert për diasporën me ç’rast përfaqësuesit e saj paraqitën disa kërkesa institucioneve.
Behar Xharra, drejtori ekzekutiv i organizatës “Germin” tha se diaspora kërkon të drejtën e votës, përmirësimin e procesit për votim jashtë vendit, mësimin plotësues në gjuhën shqipe, kartonin e gjelbër dhe përfaqësimin politik të diasporës në vend.
Xharra tha se diaspora nuk duhet të shihet vetëm si “diçka monetare kur t’vijnë në Kosovë me ndihmu”, porse njerëz jashtë potenciali i tyre duhet të kanalizohet në interest e përbashkëta.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.
Organizata “Germin” nga 17 deri më 20 maj do të organizojë takimet “Diaspora Flet”.
Gjermania është shteti nga ku kosovarët më së shumti dërgojnë para, pastaj renditet Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dërgesa të diasporës. Por, një problem për dërgesat e diasporës është mënyra e shpenzimit të tyre, e cila kryesisht shkon në konsum.
Kujtojmë se remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2017 shënuan vlerën prej 759.3 milionë euro.
Statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se nga Gjermania janë dërguar 39.4 për qind të tyre, ndjekur nga Zvicra me 21.8 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.1 për qind, Italia me 4.5 për qind, Franca me 4.3 për qind, Austria me 3.7 për qind, Suedia me 3.5 për qind, Belgjika me 2.6 për qind, Anglia me 2.5 për qind dhe Norvegjia me 1.7 për qind.