Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në një deklaratë për mediat, tha se është kërkuar ngritja e një Komisioni të Posaçëm hetimor lidhur me raportin e Dick Martyt. Sipas Ballës në raportin e Martyt referohen disa vepra penale që thuhet se kanë ndodhur në Shqipëri, dhe për këtë nevojitet sqarim.

“Disa çështje që lidhen me Shqipërinë për raportin Dick Marty, ku siç edhe ju e keni publikuar delegacioni shqiptar ka qenë i ndarë në pozicionet e veta, PD  ka votuar pro, ndërsa PS kundër. Në atë raport referohen edhe ngjarje apo vepra penale të ndodhura në Shqipëri.

Pas atij momenti në Shqipëri janë bërë verifikime, qoftë nga EULEX apo institucione të tjera, por edhe nga ato hetimore shqiptare të gjitha këto është dashur që të përfshihen në një raport dhe është në dinjitetin institucional të Kuvendit të Shqipërisë që në këtë kontest të gjitha këto gjetje dhe dëshmitë që hedh poshtë dyshime, sepse prova nuk ka e nuk ka, se në Shqipëri, Kukës, Has apo Mat të ketë pasur baza të UCK që janë kryer krime sikurse pretendohet kundër njerëzimit apo luftë.

Shqipëria është një shtet ligjor, që ka për detyrim t’i verifikojë. Dhe më pas i takon KE që të rivlerësoj vlerësimet për Shqipërinë, do të gjejmë instrumentin e duhur që këto çështje të qartësohen dhe askush të mos bëjë raporte për krime që gjoja ka ndodhur në Shqipëri e që ne të gjithë biem dakord që janë hipoteza për politikë, për Shqipëria ka qenë vend pritës i më shumë se 1 mln shqiptarëve të shpërngulur dhe në Shqipëri nuk kanë ndodhur krime lufte sikundër raportohet në atë raport”, u shpreh Balla.

I pyetur nga gazetarët, nëse e gjitha kjo bëhet për të përlyer emrin e Lulzim Bashës, dhe nëse ai do të merret në pyetje nga Komisioni, Balla tha se kreu i PD-së duhet të kërkojë falje që  ka votuar pro atij raporti.

“Gjëja e fundit që mund të më shkojë mua apo çdo kolegu deputet është që ta ngrejmë këtë  Komision të posacëm që ka qenë një detyrim i Shqipërisë, për Lulzim Bashën. Basha dhe Berisha duhet të kërkojnë falje që kanë votuar atë raport, PD aq sa ka menduar nga ajo e dhjetorit, duhet të mbajë një qëndrim dhe mendoj që Basha për këtë çështje duhet të ndahet nga Berisha nëse ka këllqe ta bëjë këtë. Lulzim Basha nuk mund ta mohojë se ai ka qenë pjesë e ekipit që ka hetuar luftën e UÇK-së”, tha Balla. (E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re