Kriza e çmimeve të energjisë elektrike ka kthyer sytë nga investimet në panele diellore.

 

Deri më tani kemi 270 vetëprodhues, pra biznese që prodhojnë vetë energji nga panele fotovoltaike, por kjo shifër do të ishte disa herë më e lartë nëse ministria do të hapte tregun, duke licensuar edhe shumë binzese që kanë aplikuar.

 

Anita Shushku, drejtore e Shoqatës së Burimeve të Rinovueshme e ftuar në “E-ZONE”, tha se duhet t’i hapet drita jeshile këtyre lloj investimeve.

 

“Ne kemi kërkuar prej kohësh që ministria të mos përcaktojë kufi për fuqinë që duhet të instalohet, pasi ky kufi ka kufizuar tregun. Deri më tani jepen vetëm licenca për të prodhur deri 500 kilovat, që është shumë pak për biznese prodhuese që kanë fabrika. Heqja e këtij kufiri si dhe gjetja e një formule të saktë të matjes së energjisë që prodhohet, do të bënte që të rriteshin ndjeshëm investimet në këtë fushë. Përveç vlerës së shtuar të energjisë në rrjet, këto investime do të sillnin më shumë punësim në ekonomi”, thotë Shushku.

 

Por binzeset që kanë kyer investime të tilla thonë se janë të kënaqur me pagesat e faturës së energjisë gjatë një muaji. Fatos Cerenishti, biznes në sektorin e hoteleri-turizmit sqaron se investime të tilla duhen stimuluar, pasi jo të gjithë bizeset kanë mundësi investimi.

 

“Unë kam një vit që kam investuar në panele diellore në hotelin tim. Jam i kënaqur pasi kostoja e faturës së energjisë elektrike është gati 40% më lirë nga sa paguaja më parë. Investimi fillestar kërkon një shumë parash që nuk është e vogël, por kthimi i investimit bëhet për 4 -5 vjet dhe më pas garancia e paneleve arrin deri në 20 vjet”, shpjegoi Cerenishti në E-ZONE.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re