Skip to content

“Digjen dokumentet për tenderat sekretë”, PD bën gati provat për zjarrin tek Ministria e Shëndetësisë

Partia Demokratike ka reaguar sërish për zjarrin e pretenduar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi iu përgjigj ministres Manastirliu duke i thënë se ka prova për zjarrin në zyrën e prokurimeve në Ministrisë së Shëndetësisë.

Provat pritet që të publikohen nesër.

“Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie. Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër.

Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu. Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë!“, shkruan Gazmend Bardhi.

PD pretendon se i është vendosur zjarri zyrës së prokurimeve në katin e 4-t të Ministrisë së Shëndetësisë për të fshehur gjurmët e tenderave sekretë të nënshkruara nga Manastirliu. Lideri opozitar, Lulzim Basha i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë për këtë ngjarje dhe për tenderat sekretë.

Ogerta Manastirliu i është përgjigjur Bashës duke mohuar zjarrin në zyrat e ministrisë që ajo drejton.

Manastirliu thotë se tymi i zjarrit imagjinar del nga koka e kreut të PD dhe me ironi thotë që dikush duhet t’i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi.