Mbi 50 mijë protestuar marshuan në rrugët e Brukselit kundër masave anti-covid, duke shënuar edhe tubimin më të madh që nga nisja e protestave të këtij lloji.
Gjatë tubimit janë shënuar edhe incidente siç është djegia e flamurit të BE-së apo edhe thyerjet e xhamave të institucioneve diplomatike të unionit.
Protestuesit u përleshën me policinë, duke hedhur gurë dhe sende të tjera ndaj tyre.

Blutë e kryeqytetit belg iu përgjigjën protestuesve me ujë dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmat masive.
Shefi i diplomacisë së unionit, Josep Borrell përmes një postimi në rrjetin social Twitter e dënoi dhunën nga ana e protestuesve, duke shtuar se ishin thyer disa nga xhamat e institucioneve të BE-së.
Edhe kryeministri belg e dënoi dhunën, por ai tha se liritë e shprehjes janë thelbi i një shoqërie.

Policia tha se rreth 70 persona u arrestuan, ku disa prej tyre akuzohen për hedhje fishekzjarrësh dhe shkatërrim prone.
Tre oficerë policie dhe 12 protestues u shtruan në spital, të gjithë fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Protestuesit thërrisnin në masë se kjo që po ndodh është një diktaturë shëndetësore. Në mbështetje të protestës masive erdhën edhe qytetarë nga Franca, Polonia dhe Rumania.

Aktualisht Belgjika po përballet me një valë të lartë infektimesh si pasojë e variantit omikron, por megjithatë spitalet nuk janë në kolaps, pasi shtrimet nuk janë në nivele të larta si në valët e mëparshme të pandemisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re