“Ndonjëherë njerëzit më thonë, ore a bën ndonjë ditë pushim ti…? U them, se ka ende shumë punë për të bërë”

Endrju Faris, sot është në fund të të 40-tave dhe nuk ka ndërmend të ndalojë punën e tij të madhe për t’i ardhur në ndihmë nevojtarëve.

Kjo sepse ai dikur, ishte vetë në mesin e atyre që vuajnë, që nuk kanë një shtëpi, që nuk u flet njeri me gojë e në plot raste, në mesin e atyre njerëzve që përbuzen, abuzohen apo tallen.

Për Faris, puna bamirëse që ai bën, është personale. Përgjatë viteve ’90, ai ka qenë vetë i pastrehë për të paktën 6 vite. Një sipërmarrje e tij e çoi në faliment. Ai kujton ditët e para kur u detyrua të flinte në rrugë. Një ndodhi e rëndë, e tmerrshme, tregon Endrju.

Si do të ushqehesh? Ku do ta gjesh ushqimin, kur s’ke para? Po për të fjetur, ku do të rrish… ku do të shkosh për të larë trupin, veshjet?

Të gjitha këto pyetje iu përplasën në mendje këtij burri, i cili kërkoi ndihmën e të tjerë pastrehëve. Edhe pse me asgjë, këta të fundit e ndihmuan me çfarë kishin.

“Çdo ditë, këto shqetësime… dhe ditën e ardhshme, do të përsëritej i njëjti episod… çohu në mëngjes dhe shko tek streha (godinë sociale), laj veten e rrobat. Merr një kafe të lirë, pak qumësht pluhur dhe pak bukë të thatë”-kujton Endrju.

E shumica e njerëzve të pastrehë, e “zgjedhin” një qoshe ku të qëndrojnë. Faris qëndronte në cepin e një hoteli. Kishte disa shkurre e aty mund të ‘fshihej’. Njerëzit ndonjëherë, për hiçgjë, mund të jenë mizorë… e veçanërisht kur janë të dehur.

“Njerëz që dilnin nga festat, ndonjëherë të lidhnin lidhëset e këpucës bashkë e atyre u hidhnin lëngun e çakmakut. Mund të zgjoheshe me këmbët e lidhura e në flakë njëkohësisht”-tregon Faris.

Njëherë, një grua i kishte urinuar në trup teksa ai flinte në rrugë.

“U zgjova i neveritur dhe u ndjeva shumë keq për atë që kishte ndodhur”-kujton Faris, teksa shpjegon se ishin një grup vajzash që kishin “sfiduar” njërën prej tyre, për të ndërrmarë këtë akt të shëmtuar.

Por siç tregon Faris, grupet e njerëzve të dehur nuk ishin më e keqja. Më e keqja ishte fakti se ndiheshe si askushi, jo si një njeri.

“Askush nuk të flet… nuk ndihesha si një qenie njerëzore”-tregon Faris.

Por fatmirësisht, pas disa kohëve të vështira, Faris gjen një punë krahu. Arriti të mbledhë aq para sa bleu një kamera, e prej atje, nisi si fotograf. Në vitet 2000, ai tashmë nuk ishte i pastrehë dhe karriera e puna si fotograf i sillte të ardhura të mjaftueshme për një jetë normale.

Por pavarësisht kësaj, mendja i rrinte shpesh tek ditët e tij të vështira, tek ata njerëz që për një arsye apo një tjetër, nuk patën fatin e tij të mirë. Kujtonte ditët kur merrte ushqim apo lante rrobat nëpër streha dhe mënyrën e vrazhdë të sjelljes së punonjësve atje.

Në vitin 2008, ai arriti të hapë vetë një qendër bamirësie, e quajtur Ritmi i Jetës (Rhythms of Life). E që prej asaj kohe e deri më tani, plot 14 vite, ai gatuan përditë ushqim për të varfrit. Bashkë me të punojnë dhe 40 persona të tjerë, të gjithë vullnetarisht, për të ushqyer të varfrit, të pastrehët e nevojtarët. Ka plot raste kur në derën e tij ka një radhë prej 150 vetësh, të cilët ndihmohen nga një njeri që dikur vuajti njëlloj si ata.

“E bëjmë këtë punë me pasion. I dimë të gjithë emrat e nevojtarëve. E teksa ata presin në radhë vaktin e ushqimit, u japim çaj e kek.”-tregon Endrju.

Faris bashkëpunon me disa markete të cilat falin ushqimin e pablerë. Gjysmën e ditës ai e gatuan ushqimin, për të qenë gati të nesërmen.

Një prej 40 vullnetarëve që e ndihmojnë Endrjun, tregoi:

“Ai është njeriu më vetëmohues, më i dedikuar, që unë kam njohur apo takuar ndonjëherë. Ka shpërndarë ushqim, ndihmë, mundësi për vende pune dhe kujdes për nevojtarë në të gjithë Londrën dhe në dijeninë time, kurrë nuk ka bërë një ditë pushim”

E veçse ndihmës në ushqim e përkujdesje, ky burrë bën dhe kurse falas, që nevojtarët të mund të mësojnë për t’ju lehtësuar mundësia për të gjetur një punë.

“Bëjmë kurse 10 javore. Mësojmë IT, anglisht, njohuri  bazike sesi njerëzit të kryejnë burokracitë, mundohemi të ndihmojmë në uljen e përdorimit të alkoolit, drogës”-shpjegoi Faris.

Burimi: “The Guardian” Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re