Politologu Ermal Hasimja në edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus me gazetarin, Aleksandër Furrxhi, komentoi zhvillimet më të fundit politike në vend.

Pajtimi i jetës parlamentare është një fakt që shumë vëzhgues e përshëndesin. Megjithatë, ka edhe shumë teori konspirative se cili ka qenë çelësi që e hapi këtë portë, portën e paqes politike. Ju si mendoni çfarë e bëri të mundur përtej asaj që kemi parë e dëgjuar?

“Shohim diçka që në fakt është pozitive, në kuptimin që parlamenti zhvillon punimet e tij në mënyrë të normalizuar, por nga ana tjetër nuk do I quaja as teori konsiprative dyshimet të paktën jo teoritë por dyshimet legjitime që mund të kenë shumë njerëz, përfshirë dhe unë personalisht. Në raport me atë që momentalisht nuk thuhet në këtë lloj marrëveshjeje. Duket sikur opozita ka marrë shumë pak dhe ka marrë diçka që I takon gjithsesi, ngritje e dy komisioneve që nuk janë as më të rëndësishmet sa I përket tematikës së tyre, thjesht në këmbim të një lloj njohjeje de-facto si një kundërshtar kryesor privilegje të statusit të qenurit kundërshtar kryesor I Ramës, në raport me PD zyrtare”, tha ai.

Çfarë është ajo që ju dyshoni ose që po lini të kuptoni që dyshoni?

“Le të marrim herën e fundit kur është bërë një marrëveshje midis Ramës e Berishës, ka qenë një marrëveshje e bërë aty për aty, shpejt e shpejt, pa njoftuar. Sa herë bëhen marrëveshje të tilla gjysmë të fshehta me thënë të drejtën, aspak transparente, produktet që dalin nuk janë aspak në interesit publikut apo demokracisë”, theksoi ai duke theksuar se ka ndodhur edhe herë të tjera që Berisha pranon marrëveshje me ato që akuzon. “Dyshimet duke pasur parasysh si funksionon politika shqiptare janë legjitime. Kjo mund të jetë bërë në version më të keq, me një lloj naiviteti thjesht për të ruajtur statusin e kundërshtarit zyrtar, për të marrë rolin e opozitës në sy të Edi Ramës, a thua se kjo ka ndonjë lloj rëndësie dhe kjo është e pajustifikueshme. E dyta janë dyshimet që mund të kenë njerëzit se këtu mund të ketë një lloj marrëveshje edhe për t’i vënë një lloj pengese funksionimit të drejtësisë, meqenëse funksionimin e drejtësisë e kanë problem të dyja palët natyrisht me qeverinë që është e para që është e interesuar që drejtësia të godasë më pak. Unë do të shkoja deri aty që të vija dorën në zjarr për cilindo qëndrim por mendoj që mund të flasim për teori konsipracioni por për dyshime legjitime që publikut mund t’I lindin”, shtoi ai.

Tema tjetër e “nxehtë” në Shqipëri e përtej është projekti apo synimet e dhëndrit e ish-presidentit Trump në Sazan apo Zvërnec. A mendoni se ka diçka për t’u shqetësuar në këtë mes?

“Janë disa gjëra për t’u shqetësuar. E para që pasuritë e Shqipërisë trajtohen si dhurata në një farë mënyre nga ana e qeverisë për të marrë favore mbështetjeje politike, nga të cilat nuk është se përfiton Shqipëria. Shqipëria përfiton nga investime të huaja transparente, të cilat bëhen mbi bazë studimesh konkrete, profesionale, por jo nga marrëveshje të tilla që bëhen në prapaskenë dhe publiku i merr nga mediat e huaja. E dyta, dëmi kolateral i saj është që e shohim se edhe në radhët e opozitës, hiq Salianjin që duhen përgëzuar për guximin, pjesa tjetër e opozitës e të gjitha pjesëve të opozitës përfshirë edhe forcat e reja politike, por edhe Berisha e Basha, nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë”, tha ai duke nënvizuar se politikanëve iu intereson më shumë marrëdhënia me “familjen e Trump” sesa vendi.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re