Në Bashkinë e Dimalit, Qarku Berat, po zbatohet projekti “MandaGREEN”, një nismë që promovon bujqësinë e pastër dhe të qëndrueshme në kultivimin e mandarinave. I fokusuar në disa fshatra me traditë në agrume, projekti synon reduktimin e përdorimit të pesticideve, rritjen e këshillimit teknik për fermerët dhe prezantimin e praktikave ekologjike për një prodhim më të sigurt ushqimor.
Nisma zbatohet nga organizata “Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore” dhe përfshin trajnime, materiale edukative, parcela demonstrimi dhe fushata ndërgjegjësimi, ku fermerët testojnë metoda më të sigurta dhe miqësore me mjedisin. Qëllimi është krijimi i një modeli praktik që mund të replikohet edhe nga fermerë të tjerë në zonë.
Për të folur mbi zbatimin e projektit, sfidat në terren dhe rezultatet e deritanishme në kultivimin e mandarinave me praktika të pastra bujqësore, zhvilluam një intervistë me Lorena Totoni, eksperte e Zhvillimit Rajonal dhe Qeverisjes Vendore, e përfshirë në projekt si eksperte politikash, si dhe me agronomen Ferdie Kajo.

Lorena Totoni, na flisni pak për këtë projekt: cili ka qenë qëllimi i tij kryesor?
Qëllimi kryesor i projektit MandaGREEN ka qenë promovimi i bujqësisë së pastër dhe i një modeli të qëndrueshëm në kultivimin e mandarinës në Qarkun Berat, veçanërisht në zonën e Dimalit, ku janë të përqendruara rreth 220 hektarë tokë të mbjella me mandarina. Prej vitesh, përdorimi i pakontrolluar i pesticideve ka dëmtuar jo vetëm tokën dhe shëndetin, por edhe imazhin e mandarinës shqiptare në tregjet e huaja. Raste të kthimit të produkteve nga eksporti për shkak të mbetjeve kimike kanë krijuar pasiguri dhe frikë edhe te konsumatori vendas.
Projekti synon të ndryshojë këtë realitet përmes edukimit, modelimit praktik dhe angazhimit komunitar. Përmes trajnimeve dhe parcelave demonstrative, fermerët kanë parë në praktikë se menaxhimi ekologjik mund të funksionojë. Kjo qasje praktike ka qenë shumë më bindëse sesa vetëm informacioni teorik, sepse “nuk mjafton të flasim për ndryshimin, por duhet ta tregojmë konkretisht atë”.
Cilat janë rezultatet konkrete që keni parë deri tani nga fazat e ndërgjegjësimit dhe trajnimet me fermerët në zonën e Dimalit?
Momenti i parë shumë domethënës ishte trajnimi i zhvilluar përgjatë muajit shtator 2025 në Dimal, ku për tre ditë trajnim morën pjesë rreth 105 aktorë: fermerë nga Hingë, Goriçan e zona të tjera, grumbullues, tregtarë, përfaqësues të bashkisë, Drejtorisë së Bujqësisë, shoqërisë civile dhe ekspertë. Diskutimi i hapur ishte thelbësor. U fol për ndikimin e pesticideve në shëndetin e njerëzve, në cilësinë e frutit dhe në dëmtimin e reputacionit të produktit vendas. Fermerët vetë pranuan se mungesa prej dekadash e asistencës efektive shtetërore i ka lënë të pambrojtur përballë tregtarëve të inputeve bujqësore dhe listave të pesticideve që nuk njihen si duhet.
Nga fazat e para të ndërgjegjësimit, projekti ka sjellë disa ndryshime konkrete:
- Rritje të ndërgjegjësimit mbi rreziqet shëndetësore dhe ekonomike të pesticideve të ndaluara.
- Interes më të madh për plehërim organik dhe alternativa natyrore.
- Krijimin e një grupi advokues lokal që promovon bujqësinë e pastër.
- Ndjeshmëri më të lartë te konsumatorët për sigurinë ushqimore.
Kur fermerët e panë me sytë e tyre interesin e treguar ndaj cilësisë së agrumeve, ndryshoi edhe qëndrimi i tyre. Një rezultat i dukshëm është rritja e ndërgjegjësimit: sot fermerët po kërkojnë më shumë transparencë, më shumë kontrolle dhe laboratorë certifikues në zonë. Ata po kuptojnë se siguria ushqimore nuk është vetëm çështje prodhimi, por edhe e ardhme ekonomike për ta. Projekti ka nisur të krijojë një kulturë të re bashkëpunimi midis fermerëve dhe institucioneve.
Momenti i dytë i rëndësishëm ishte ndërgjegjësimi te të rinjtë dhe fermerët lokalë në Dimal: një shkollë u përfshi e gjitha në sesion sensibilizimi dhe mbi 25 fermerë lokalë u takuan dhe u informuan gjatë këtij muaji, ku materialet edukative shërbyen edhe si informim i drejtpërdrejtë mbi bujqësinë e qëndrueshme.

Sa i vështirë ka qenë për fermerët kalimi nga praktikat kimike tek ato ekologjike dhe cilat janë pengesat kryesore që hasin?
Kalimi nuk është i lehtë, sepse ndryshimi është para së gjithash në aspektin kulturor. Kur komuniteti fillon ta shohë prodhimin e pastër si normë dhe jo si përjashtim, atëherë tranzicioni bëhet më i lehtë. Shumë fermerë e justifikojnë përdorimin e plehrave kimike me mungesën e alternativave të sigurta organike. Kanë frikë nga rënia e rendimentit dhe mungesa e sigurisë në treg.
Një problem serioz është mungesa e informacionit të saktë mbi listën e pesticideve të lejuara. Duhet përmendur edhe rasti i pesticideve të rrezikshme që vazhdojnë të tregtohen, ndonëse janë ndaluar prej kohësh në vende të zhvilluara. Po ashtu, fermerët ngritën shqetësime për ndotjen e tokës nga ujërat e industrive përpunuese, për pastrimin e kanaleve kulluese dhe për mungesën e laboratorëve lokalë që do të garantonin analiza të shpejta dhe të besueshme. Sfida më e madhe është institucionale: mungesa e një strategjie konkrete dhe e mbështetjes së qëndrueshme nga shteti për të garantuar sigurinë ushqimore në të gjitha hallkat e zinxhirit.
Megjithatë, ne besojmë se ndryshimi ka nisur. Kur fermerët fillojnë të kërkojnë vetë më shumë kontroll, më shumë informacion dhe më shumë transparencë, kjo do të thotë se kultura e prodhimit po transformohet. Në përfundim duhet theksuar se siguria ushqimore nuk është vetëm përgjegjësi e fermerit. Është një zinxhir ku përfshihen institucionet, tregtarët, laboratorët dhe konsumatori. Nëse duam që mandarina e Dimalit të rikthejë reputacionin dhe të jetë konkurruese në tregjet evropiane, duhet të investojmë në dije, transparencë dhe kontroll. MandaGREEN është një hap në këtë drejtim – jo zgjidhja përfundimtare, por fillimi i një modeli të ri për agrumet shqiptare.
Shumë i rëndësishëm në këtë rrugëtim ka qenë roli i Ferdie Kajo si agronome. Ajo ishte pika e fortë e organizatës dhe, mbi përvojën e saj, kontaktet me fermerët dhe përfaqësuesit e bujqësisë në Bashkinë Dimal, u mundësua bashkëpunimi i mirë.
Si ka ndryshuar mënyra e të menduarit dhe qasja e fermerëve ndaj kultivimit pas përfshirjes në projekt?
Ndryshimi më i rëndësishëm nuk prisnim të ndodhte në arë, por në mendjet e fermerëve. Ata nuk ndihen më vetëm punëtorë të tokës në mënyrë tradicionale, por menaxherë të një biznesi që mund të përmirësohet biologjikisht. Ky ndryshim mentaliteti e bën bujqësinë të shikojë drejt të nesërmes dhe më të qëndrueshme për brezat që vijnë. Sot fermerët po e shohin fermën si një sistem të gjallë që kërkon kujdes, planifikim dhe përgjegjësi.
Cilat janë gabimet më të zakonshme që bëjnë fermerët në përdorimin e pesticideve dhe si po i korrigjon projekti këto praktika?
Gabimi më i zakonshëm ka qenë përdorimi i pesticideve si reagim i menjëhershëm. Shpesh, të detyruar nga pasiguria ose nga frika për të mos humbur prodhimin, trajtimet bëheshin ndonjëherë pa vëzhgim të mjaftueshëm dhe pa një vendim të bazuar në nevojën reale të bimës.
Projekti ka punuar kryesisht te ndërgjegjësimi. Fermerët po mësojnë të vëzhgojnë më shumë dhe të ndërhyjnë më pak, por më saktë. Ata kuptojnë se përdorimi i kontrolluar i pesticideve nuk është vetëm çështje teknike, por edhe përgjegjësi ndaj shëndetit, mjedisit dhe tregut. Sot vendimi për trajtim nuk merret më nga zakoni, por nga informacioni dhe këshillimi profesional.
A është i qëndrueshëm në afatgjatë modeli i bujqësisë së pastër për mandarinat në këtë zonë, si në aspektin e prodhimit ashtu edhe të fitimit për fermerët?
Po, sepse ky model nuk mbështetet vetëm te teknikat e kultivimit, por te ndryshimi i mënyrës së të menduarit. Kur fermeri fillon të kujdeset për tokën si një pasuri afatgjatë dhe jo vetëm për prodhimin e një sezoni, atëherë bujqësia bëhet automatikisht më e qëndrueshme.
Bujqësia e pastër ndihmon në ruajtjen e shëndetit të tokës, ul përdorimin e inputeve të panevojshme dhe rrit besimin e konsumatorit ndaj produktit. Mandarinat e zonës fitojnë identitet dhe vlerë më të madhe në treg, ndërsa fermeri siguron një të ardhme më të qëndrueshme ekonomike. Kjo është arsyeja pse ky model ka potencial të vazhdojë edhe përtej projektit – sepse tashmë është bërë pjesë e mënyrës si fermerët mendojnë dhe punojnë.
Programi GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024–2027” financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida), me fondet e Qeverisë Suedeze, dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
