Policia e Durrësit ka dhënë informacionin e parë zyrtar në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja teksa udhëtonte me makinë në Mbikalimin e Shkozetit. Shqiptarja.com mëson se në timon ishte shoferi i prokurorit, Andi Maloku, i cili ka mbetur i plagosur, dhe ndodhet në gjendje të rëndë i transportuar në spitalin e Traumës.

Policia thotë se rrethj orës 16:30 në aksin rrugor Durrës-Tiranë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës me targë AA 333 ZD, makinë e regjistruar në emër të Fadil Callikut.

Policia thotë se për pasojë janë plagosur prokurori Arjan Ndoja 44 vjeç, shoferi i tij Andi Maloku, 30 vjeç dhe Aleksandër Laho, 48 vjeç

Po si ndodhi atentati në Durrës ? Të dhënat e para janë kontradiktore, por mësohet se prokurori bashkë me dy miqtë e tij sapo ishin duke zbritur nga Shkozeti, ndërsa autorët kishin informacione të sakta për lëvizjen e tij duke i bërë pritë dhe qëlluar tetë herë me kallashnikov makinën e tij.

Por kush janë pistat e para ku po hetohet deri tani? Dyshimet kryesore janë se atentati është bërë për shkak të detyrës për shkak të dosjeve që ka gjykuar dhe lidhjeve kriminale për të cilat është denoncuar prokurori. Nga policia mësohet se po punohet për ndalimin e dy personave, që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen. Ndërkohë që janë shoqëruar disa dëshmitarë për të dhënë më shumë detaje për ngjarjen.

Andi Maloku është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, – thotë policia e Durrësit, ndërsa dy të tjerët ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën, mes të cilëve edhe prokurori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re