Pesë persona, katër të rinj dhe një shitëse ambulante, kanë mbetur të plagosur në Laç, pas një sherri që degradoi me armë zjarri mes disa personave në zonën pranë ish-gjykatës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë.

Sherri mes të rinjve kishte nisur një ditë më parë (2 maj) për të vijuar ditën e sotme, ku pikërisht rreth orës 14:00 ata janë përplasur sërish.  Pasi janë konfliktuar verbalisht dhe fizikisht, ata kanë nxjerrë armët dhe nga ngjarja mbetën të plagosur; Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Geri Bitri.

Gjithashtu mbeti e plagosur edhe Angjelina Gjezaj, një shitëse ambulante 58 vjeçe, e cila kishte ndërhyrë për të shuar sherrin mes të rinjve, por një plumb e kapi në këmbë gjatë të shtënave me armën e zjarrit.

Të gjithë të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës. Burime bëjnë me dije se dy nga pesë të lënduarit, konkretisht Amarildo Ndoj dhe Geri Bitri ndodhen në gjendje të rëndë, pasi kanë marrë plumba në zonën e legenit. Personat e tjerë ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa autori që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.

Ndërkohë, është gjetur edhe një makinë e djegur, që dyshohet se është ajo me të cilën ka lëvizur autori i ngjarjes pas krimit.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që tronditi Laçin.

NJOFTIMI I POLICISË:

Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko