Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, është paraqitur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në seancën e parë publike. Institucioni i Komisionerit Publik ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të vettingut, KPK, e cila e ka konfirmuar në detyrë mes polemikash. Trupi gjykues mori vendim që të shtyjë seancën për një orë pas kërkesave për përjashtim të trupit gjykues.

Donika Prela ka kërkuar përjashtimin e dy anëtarëve të trupit gjykues. Sipas saj, ka konflikt interesi me Ina Ramën dhe Natasha Mulën.

Për Ina Ramën thotë se shkak për konfliktin e interesit është mbesa e saj e identifikuar si Izabela Demiraj, rastin e të cilës e hetoi për shkak të diplomës së falsifikuar dhe kërkoi pezullimin e saj nga puna.

“IKP ka paraqitur ankim në KPA për mua. Kam pritur që Ina Rama të jepte dorëheqjen për konflikt interesi pasi në Prokurorinë Durrës unë kam kryer hetime për mbesën e Ina Ramës. Mbesa ka qenë sekretare në Gjykatën e Durrësit dhe kësaj shtetase i është kërkuar plotësimi i dosjes dhe rezulton se ajo shtetase ka refuzuar ta plotësojë për diplomimin dhe është larguar nga puna. Ajo ka bërë pastaj kërkesë për të punuar si psikologe në gjykatë me një diplomë të Kristalit. Pas hetimit nga ana ime ka rezultuar se diploma ka qenë e falsifikuar. Kam kërkuar pezullimin e saj nga detyra, kërkesë e pranuar nga gjykata.

Jam njoftuar se ajo ishte mbesa e Ina Ramës në një moment të vonë. Kam shpallur moskompetencë dhe Gjykata e Kavajës e ka dënuar sipas Kodit Penal. Unë kam pritur nga gjyqtarja Ina Rama që të tërhiqet nga kjo çështje për shkak të këtyre konflikteve të interesit”, tha Prela.

Ndërsa për Natasha Mulaj thotë se KPA vendosi kërkesën e saj në vitin 2019 për një rast të ngjashëm me të sajin dhe për këtë arsye kërkon përjashtimin e saj.

“Kërkoj edhe përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Natasha Mulaj, për konflikt interesi. Nuk besoj se ju zonja Mulaj keni dijeni pasi edhe une vetëm në javën e fundit kam kuptuar këtë konflikt.

KPA vendosi të pranoj kërkesën e Natasha Mulajt në 2019 për një rast të ngjashëm me timin.

Në këto kushte ju bëj me dije këtë konflikt interesi. Prej 1 viti e gjysëm jam në dijeni të trupit gjykues, ajo nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u larguar dhe për këtë arsye jam e detyruar të kërkoj përjashtim. Kërkoj hapjen e hetimit pasi kam prova të reja”, tha Prela.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re