Diplomatët amerikanë kanë akuzuar sërish Rusinë se po përdor urinë si një tjetër armë ndaj Ukrainës. Shkak për këtë është bërë bllokimi i anijeve të cilat do të ngarkoheshin në portet e Ukrainës me grurë. Sasia e grurit do të shpërndahej në vende të ndryshme në mbarë botën.

 

Lidhur me këtë ka reaguar ambasadorja e SHBA në Ukrainë, Bridget A. Brink, e cila e konsideroi veprimin e Rusisë si tentativë për të përdorur urinë në favor të luftës.

 

Zyrtarja amerikane iu referua komenteve të ngjashme mbi temën e bërë nga Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken më herët.

 

“Bota nuk duhet t’i kujtojë Moskës çdo disa javë që të ndalojë përdorimin e urisë së njerëzve si një armë në luftën e saj kundër Ukrainës,” tha Blinken.

 

Farhan Haq, zëvendës zëdhënës i OKB-së për Sekretarin e Përgjithshëm, tha se dy inspektime të anijeve ndodhën të martën.

 

Lajmi vjen një ditë pasi OKB-ja tha se nuk kishte pasur inspektime të anijeve si pjesë e marrëveshjes së grurit për dy ditë. Ukraina akuzoi të hënën Rusinë për ndalimin efektiv të marrëveshjes së grurit duke mos inspektuar anijet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re