Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe diplomatët e huaj të cilët vizituan të hënën shtetin Arakan të Mianmarit i bënë thirrje qeverisë të mundësojë qasje më të madhe në rajonin nga i cili u larguan mbi 500.00 muslimanë Rohingya dhe ikën në Bangladeshin fqinj, duke kërkuar shpëtim nga dhuna ushtarake, raporton (AA), .
Qeveria e Mianmarit tha se të hënën një total prej 48 zyrtarësh të OKB-ve dhe diplomatë të huaj të vendosur në kryeqytetin Yangon, bënë një vizitë njëditore në rajonin Maungdaw të Arakanit për të mësuar nga afër për kushtet në të cilat ndodhen banorët.
“Gjatë qëndrimit tonë atje, pamë nevojën e tmerrshme humanitare. Edhe një herë bëjmë thirrje për qasje të papenguar humanitare në Arakanin verior dhe rifillimin në tërë territorin e shtetit të shërbimeve të cilat shpëtojnë jetët pa diskriminuar askënd”, thuhet në deklaratën e publikuar nga stafi diplomatik.
Diplomatët kanë takuar disa banorë Rohingya të cilët nuk kanë braktisur shtëpitë, si dhe familjet e viktimave jomuslimane për të cilët qeveria thotë se janë vrarë nga militantët Rohingya.
Në njoftim bëhet e ditur se vizita e diplomatëve nuk ka qenë në kuadër të ndonjë misioni hetimor, pasi sipas tyre, në rrethanat e krijuara nuk mund të ketë një të tillë. “Hetimi për shkeljet e të drejtave të njeriut do të duhej të kryhet nga ekspertë”, thuhet në deklaratë.
Diplomatët u kanë thënë autoriteteve se njerëzit që takuan gjatë vizitës së tyre nuk duhet t’u nënshtrohen, dhe se duhet të mbrohen, nga çdo persektim, sulm fizik ose arrestim arbitrar. “Shpresojmë sinqerisht se vizita jonë është hapi i parë drejt lejimit të qasjes në të gjitha pjesët e Arakanit të veriut, përfshirë edhe qasjen për mediat”, thuhet në deklaratë.
Deklarata është nënshkruar mes tjerash nga ambasadorët e Turqisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Serbisë, etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re